LIBRAZHD, 23 shtator 2026 /Albania Express News/ – Bashkia Librazhd do të ketë tashmë një Zyrë të Ndihmës Juridike Falas, një shërbim i ri që synon t’u ofrojë qytetarëve këshillim dhe asistencë juridike pranë vendbanimit të tyre.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Bashkisë Librazhd, Mariglen Disha, pas takimit me Zëvendësministren e Drejtësisë, znj. Elona Hoxha, të cilën e mirëpriti në ambientet e bashkisë.
Gjatë takimit, sipas Dishës, u diskutua për mundësinë e zgjerimit të shërbimeve juridike dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në ndihmën ligjore.

“Gjatë takimit diskutuam për mundësinë e zgjerimit të shërbimeve juridike pranë qytetarëve dhe, në kuadër të këtij bashkëpunimi, Librazhdi do të ketë tashmë një Zyrë të Ndihmës Juridike Falas”, bëri të ditur kryebashkiaku.
Zyra synon të ofrojë këshillim dhe asistencë juridike falas, veçanërisht për qytetarët që kanë nevojë për mbështetje ligjore dhe nuk kanë mundësi të përballojnë kostot e shërbimeve juridike.
Hapja e këtij shërbimi në Librazhd pritet të lehtësojë aksesin e qytetarëve në informacionin dhe mbështetjen ligjore, duke e afruar shërbimin me komunitetin dhe duke krijuar një mundësi shtesë për trajtimin e çështjeve me karakter juridik.
Bashkia Librazhd dhe Ministria e Drejtësisë synojnë që përmes këtij bashkëpunimi të forcojnë aksesin e qytetarëve në shërbimet juridike dhe të garantojnë mbështetje për kategoritë që kanë më shumë nevojë për asistencë.

