“Tirana nuk mund t’ua japë lirinë, por duhet t’i nderojë”/ Veliaj propozon që Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të kryeqytetit

TIRANË ,19 shtator 2026 /Albania Express News/-

Nga paraburgimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka propozuar që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të shpallen “Qytetarë Nderi” të Tiranës.

Në një deklaratë publike, Veliaj shprehet se vendimi i dhënë në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së e ka tronditur thellë, ndërsa thekson se procesi juridik duhet të vijojë sipas procedurave dhe standardeve të drejtësisë.

Sipas tij, nisma për nderimin e katër ish-krerëve të UÇK-së nuk synon të ndërhyjë në procesin gjyqësor apo të zëvendësojë drejtësinë me politikën, por të shprehë mirënjohjen e Tiranës për kontributin që ai u atribuon atyre në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë.

“Sigurisht jo për ta zëvendësuar drejtësinë me politikën. Jo për t’i treguar një gjykate se çfarë duhet të vendosë. Por për të ushtruar të drejtën e qytetit tonë për të shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin e vet për kontributin e tyre historik në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe shtetësisë”, shprehet Veliaj.

Ai u ka bërë gjithashtu thirrje kryetarëve dhe këshillave bashkiakë të qyteteve të tjera shqiptare që të ndërmarrin nisma të ngjashme.

Në deklaratën e tij, Veliaj e lidh këtë nismë edhe me situatën e tij personale, duke thënë se prej 19 muajsh ndodhet në izolim dhe pa mundësi reale për të ushtruar mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Megjithatë, ai thekson se çështja e Kosovës dhe kujtesa për luftën e saj për liri janë më të mëdha se drama e tij personale.

“Tirana fatkeqësisht nuk mund t’ua japë dot lirinë. Por Tirana duhet t’i nderojë ata”, deklaron Veliaj.

Në vijim, ai thekson se katër ish-drejtuesit e UÇK-së, sipas tij, janë pjesë e historisë së Kosovës dhe të kujtesës kombëtare shqiptare.

“Le t’u tregojmë familjeve të tyre se nuk janë vetëm. Le t’u tregojmë shqiptarëve të Kosovës se Shqipëria nuk e harron Kosovën. Le t’u tregojmë brezave që vijnë se një shoqëri mund të respektojë drejtësinë dhe njëkohësisht, të ruajë kujtesën e vet historike”, shprehet ai.

Veliaj e përmbyll deklaratën duke iu drejtuar drejtpërdrejt Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, duke theksuar se procesi juridik do të vijojë, ndërsa kujtesa historike, sipas tij, do të ruhet.

“Procesi juaj juridik do të vazhdojë. Drejtësia do të ndjekë rrugën e saj. Por edhe kujtesa jonë do të ndjekë të vetën”, thuhet në deklaratë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Pse vrasjet e bujshme në Shqipëri mbeten pa autorë?

Nga Vladimir Muçaj TIRANË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Në...

Nga Haga te përçarja: kush po e ndez zjarrin mes shqiptarëve?

Nga Vladimir Selamaj ATHINË ,20 shtator 2026 /Albania Express News/-Ka...

Mjeku kuron, natyra shëron , refleksion mbi mjekësinë, vetëshërimin dhe kufijtë e dijes

Nga Shefqet Deliallisi TIRANË, 20 shtator 2026 /Albania Express News/...