TIRANË, 18 shtator 2026 /Albania Express News/ – Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën ndërkombëtare të turizmit. Media britanike e udhëtimeve “CN Traveller”, në një artikull të Christopher Beanland, e përfshin vendin tonë mes destinacioneve të Ballkanit që turistët duhet të kenë në listën e tyre të udhëtimeve.
Artikulli e përshkruan Ballkanin si një rajon ku ndërthuren kultura, histori, fe, kuzhinë dhe peizazhe të ndryshme, ndërsa veçon malet, liqenet, ujëvarat dhe bregdetin si ndër pasuritë kryesore turistike të rajonit.
Sipas autorit, Ballkani po tërheq vëmendje edhe për faktin se në shumë zona turistët mund të gjejnë destinacione më pak të mbipopulluara dhe struktura më të vogla, në ndryshim nga resortet masive të disa pjesëve të tjera të Evropës.
Shqipëria, një alternativë për pushimet në Mesdhe
Një pjesë e veçantë e artikullit i kushtohet bregdetit shqiptar, i cili paraqitet si një alternativë tërheqëse për turistët që kërkojnë plazhe, natyrë dhe ujëra të kristalta.
Ndër destinacionet e përmendura janë Gjiri i Gjipesë dhe Plazhi i Pasqyrave pranë Sarandës. Gjipeja veçohet për aksesin përmes shtigjeve natyrore dhe mundësinë e qëndrimit në kamping pranë detit, ndërsa Plazhi i Pasqyrave përshkruhet si një zonë më e qetë dhe e veçuar, me ujëra të kaltër.
Artikulli e lidh interesin për Shqipërinë edhe me rritjen e çmimeve në disa destinacione tradicionale të Mesdheut, duke e paraqitur vendin si një mundësi për pushime bregdetare.
Nga Dhërmiu te Durrësi dhe Tirana
“CN Traveller” vëren gjithashtu se turizmi shqiptar po evoluon drejt modeleve më të sofistikuara dhe më të qëndrueshme, ku rëndësi i kushtohet arkitekturës, dizajnit dhe ndikimit në mjedis.
Në Dhërmi, artikulli veçon “Zoe Hora”, një strukturë turistike që ka integruar disa banesa në një kompleks me fokus te arkitektura dhe dizajni.
Në Durrës, përmendet restoranti “Aragosta”, ndërsa qyteti vetë prezantohet si një pikë me interes për turistët për shkak të afërsisë me bregdetin shqiptar.
Në Tiranë, ndër destinacionet e rekomanduara është Piramida, e cila pas restaurimit është kthyer në një qendër kulturore. Artikulli vëren edhe transformimet urbane të kryeqytetit, me hapësira të reja për këmbësorët dhe projekte të artit në hapësirat publike.
Ballkani, destinacion për natyrën dhe aventurën
Përtej bregdetit, artikulli vë në pah potencialin e Ballkanit për turizmin malor, ecjet në natyrë dhe mirëqenien.
Një prej itinerareve të përmendura është “Majat e Ballkanit”, një shteg rreth 200 kilometra që kalon përmes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipas autorit, rajoni ofron gjithashtu mundësi për not në liqene, paddleboarding, ecje në shtigje malore dhe qëndrime në qendra të vogla wellness, larg turmave turistike.
Në këtë panoramë, Shqipëria shfaqet me një kombinim të veçantë të bregdetit, maleve, trashëgimisë kulturore, gastronomisë dhe zhvillimit të strukturave të reja turistike.
Artikulli i “CN Traveller” e vendos kështu Shqipërinë në hartën e destinacioneve ballkanike që po fitojnë gjithnjë e më shumë interes nga udhëtarët ndërkombëtarë.

