Shqipëria, e 14-ta në botë për rritjen e PBB-së reale për frymë në 35 vite

TIRANË ,18 shtator 2026 /Albania Express News/-Shqipëria renditet e 14-ta në botë për rritjen e PBB-së reale për frymë gjatë 35 viteve të fundit, me një zgjerim prej 309% nga viti 1990 deri në 2025, sipas një analize të Visual Capitalist, bazuar në të dhënat e Bankës Botërore.

Sipas analizës, PBB-ja reale për frymë e Shqipërisë, e matur me paritetin e fuqisë blerëse (PPP), është rritur nga rreth 5,600 dollarë në vitin 1990 në rreth 22,700 dollarë në vitin 2025.

Rritja e Shqipërisë është dukshëm mbi mesataren globale, pasi PBB-ja reale për frymë në botë u rrit me rreth 94% gjatë së njëjtës periudhë, nga 11,300 në 21,900 dollarë.

Ecuria shqiptare ka qenë gjithashtu më e shpejtë se ajo e Maqedonisë së Veriut. Në vitin 1990, PBB-ja reale për frymë e këtij vendi ishte rreth 12,900 dollarë, ndërsa në 2025 arriti në 25,100 dollarë, me rritje prej 94%. Ndërkohë, diferenca mes dy vendeve është ngushtuar ndjeshëm gjatë periudhës.

Në krye të renditjes globale qëndron Guajana, me rritje prej 1,549%, e ndjekur nga Kina me 1,404%. Në listën e ekonomive me rritjen më të shpejtë përfshihen edhe Vietnami, India, Bangladeshi dhe Koreja e Jugut.

Në Europë, analiza veçon Bosnjë-Hercegovinën, me rritje prej 777%, ndërsa Irlanda regjistroi një rritje prej 345%. Për këtë të fundit, analiza nënvizon se treguesi i PBB-së për frymë ndikohet ndjeshëm nga aktiviteti i kompanive shumëkombëshe.

Ndër ekonomitë e zhvilluara, Shtetet e Bashkuara regjistruan rritje prej 73% të PBB-së reale për frymë gjatë periudhës 1990-2025, ndërsa rritja ishte 61% në Mbretërinë e Bashkuar, 48% në Gjermani, 43% në Kanada dhe Francë dhe 34% në Japoni.

Të dhënat tregojnë se Shqipëria ka pasur një ritëm të lartë konvergjence gjatë 35 viteve të fundit, megjithëse niveli absolut i PBB-së për frymë mbetet një tregues i veçantë nga ritmi i rritjes.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Tajfuni Dujuan godet Japoninë/ Dy të vdekur, 275 fluturime të anuluara dhe 1.6 milionë banorë të evakuuar

JAPONI ,22 shtator 2026 /Albania Express News/-Tajfuni Dujuan ka...

Sulm me armë pranë një shkolle në Turqi, plagosen disa nxënës

TURQI ,22 shtator 2026 /Albania Express News/-Një sulm i...