Disiplina e FSHF-së publikon vendimin e radhës, gjoba, pezullime dhe bllokime merkatoje për disa klube

TIRANË ,17 shtator 2026 /Albania Express News/-Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së Federatës Shqiptare të Futbollit ka publikuar vendimin nr. 6, datë 17 shtator 2026, ku janë përcaktuar një sërë masash disiplinore ndaj klubeve, futbollistëve dhe zyrtarëve, si edhe vendime që lidhen me detyrime të pashlyera ndaj ish-lojtarëve.

Në fokus të vendimit janë episodet e sjelljes së tifozëve gjatë ndeshjeve, protestat ndaj zyrtarëve të takimeve, sjelljet josportive, problematikat organizative, si dhe moszbatimi i vendimeve të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

KF Laçi është dënuar me 100 mijë lekë gjobë për mosmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, pas hedhjes së sendeve në fushë nga spektatorët.

KF Vllaznia është gjobitur me 50 mijë lekë për hedhjen e sendeve në fushën e lojës, ndërsa lojtari Adnard Mehmeti është pezulluar për 2 ndeshje për provokim të spektatorëve.

Për sjellje të tifozëve janë ndëshkuar edhe KF Skënderbeu, me 100 mijë lekë, për përdorim flakadanësh dhe hedhje sendesh në fushë, si dhe KF Tirana, me 50 mijë lekë, për ndezjen e flakadanëve dhe mjeteve të tjera piroteknike.

Përveç klubit, te Tirana është ndëshkuar edhe zyrtari Omer Bunjaku, i cili është pezulluar për 2 ndeshje për protestë ndaj vendimeve të zyrtarëve të ndeshjes.

Ndërkohë, KF Teuta është paralajmëruar zyrtarisht se përsëritja e problematikave teknike apo organizative që shkaktojnë ndërprerjen e zhvillimit normal të ndeshjeve do të sjellë masa disiplinore.

Një nga dënimet më të rënda personale në këtë vendim i është dhënë zyrtarit të KF Vora, Bazion Tragaj, i cili është pezulluar për 8 ndeshje për sjellje të përsëritur josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Përgjatë kësaj periudhe, atij i ndalohet edhe hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit.

KF Oriku është gjobitur me 50 mijë lekë, për shkak të vonesës në fillimin e ndeshjes, ndërsa zyrtarët Albert Lusha i Luzi Vogël 2008 dhe Ardit Mani i KF Shiroka janë pezulluar nga aktiviteti për nga 4 ndeshje. Zyrtari tjetër i Shirokës, Ergi Axhani, është pezulluar për 2 ndeshje.

Akademia e Futbollit U-18 humbet ndeshjen në tavolinë

Një tjetër masë e rëndësishme lidhet me Akademinë e Futbollit U-18, e cila është dënuar me 100 mijë lekë gjobë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, pas braktisjes së ndeshjes së kampionatit Abissnet Superiore U-18 ndaj KF Vora U-18.

Tirana dhe Vllaznia me bllokim të regjistrimeve

Vendimi përfshin edhe masa të lidhura me detyrime financiare të papaguara të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

KF Tirana është ndëshkuar me ndalimin e regjistrimit të lojtarëve të rinj për 3 periudha regjistrimi, deri në shlyerjen e plotë të detyrimeve në çështjet e Romeo Harizajt dhe Gledi Micit.

E njëjta masë, prej 3 periudhash regjistrimi, është vendosur edhe ndaj KF Vllaznia, në lidhje me detyrimin ndaj Liridon Latifit.

FC Besa është përballur me dy vendime për bllokim të regjistrimeve, në çështjet e Emiljano Çelës dhe Bekim Kulit, ndërsa KF Lushnja është vendosur nën të njëjtën masë në lidhje me detyrimin ndaj Ardit Hoxhajt.

Në raste të tjera, Komisioni ka dhënë afat paralajmërues prej 30 ditësh për KF Tiranën, pas kërkesave të Kleandro Lleshit, Fatmir Prengajt dhe Erisildo Smaçit, për ekzekutimin e vendimeve përkatëse të Dhomës Kombëtare të Zgjidhjes së Mosmarrëveshjeve.

Komisioni ka pranuar gjithashtu kërkesat e lojtarëve Brajan Selmani të KF Iliria dhe Bruno Telushi të KF Oriku për pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit, me periudhë pezullimi me kusht prej 6 muajsh.

Nga ana tjetër, janë rrëzuar si të pabazuara në Kodin e Disiplinës dhe Etikës kërkesat e Nelson Joseph Pius të KF Lushnja, Igli Rrapit të KF Burreli dhe Klejdi Gjinit të KF Tirana U-18.

Vendimi nr. 6 i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës është i ankimueshëm. Kundër tij lejohet ankim brenda 3 ditëve pranë Komisionit të Apelit të FSHF-së.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Rama nga Miçigani për vendimin e Hagës: “Varrosje për së gjalli, populli i Kosovës nuk e gjen veten në atë vendim”

SHBA/TIRANË, 21 shtator 2026 /Albania Express News/- Kryeministri Edi...

Vijon në ditën e 114-të protesta para Kryeministrisë

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Qytetarët u mblodhën...