“Më larguan pas një oferte qesharake”, Emiljano Musta rrëfen prapaskenat e largimit nga AF Elbasani: Nuk më ofenduan tifozët

SHKODËR / ELBASAN, 17 shtator 2026 /Albania Express News/- Emiljano Musta ka folur për herë të parë si futbollist i Vllaznisë për largimin e tij nga AF Elbasani, duke zbuluar prapaskenat e merkatos së verës dhe duke mohuar se ka pasur probleme me tifozërinë verdheblu.

Mbrojtësi me eksperiencë, i cili tashmë është pjesë e skuadrës shkodrane, deklaroi se nuk ishte ai që vendosi të largohej nga Elbasani, por se drejtuesit i ofruan një kontratë rinovimi që ai e konsideron të papërshtatshme.

“Është thënë në media që u largua Musta nga Elbasani, por Mustën e kanë larguar pas një oferte qesharake rinovimi që i kanë bërë. Ndonjëherë duhet të mendojmë pak më shumë edhe përtej fanellës dhe qytetit, pasi ne jemi profesionistë dhe me këtë punë e mbajmë familjen tonë”, u shpreh Musta.

Futbollisti theksoi se për të Elbasani mbetet qyteti i tij dhe se nuk ka dashur të reagojë publikisht më herët, për respekt të tifozëve dhe qytetit ku është rritur dhe ka nisur karrierën.

“Unë jam nga Elbasani. Jam lindur, rritur dhe kam dalë tek akademia e Elbasanit. Shumë gjëra që nuk janë të vërteta janë thënë. Musta nuk ka folur edhe për respekt të tifozerisë apo qytetit tim. Nuk kam thënë diçka kurrë, pasi e vërteta është komplet ndryshe”, deklaroi ai.

“Nuk më kanë ofenduar tifozët”

Musta u ndal edhe te raporti me tifozët e Elbasanit, duke sqaruar se, sipas tij, nuk kanë qenë ata përgjegjës për sharjet apo ofendimet që janë përmendur pas largimit të tij.

“Në dijeninë time nuk ka pasur tifozë, por pjesa e administratës dhe drejtuesve. Nuk besoj se ka pasur tifozë dhe ato sharje apo ofendime nuk kanë ardhur nga tifozët e Elbasanit”, tha mbrojtësi.

Ai nënvizoi se largohet nga Elbasani me kokën lart, duke kujtuar kontributin e tij gjatë dy sezoneve të fundit.

“Kam qenë për dy vite pjesë e Elbasanit, dhe më përpara pjesë e Elbasanit të vjetër. Kemi pasur dy vite historike. Vitin e parë Superiore e dërguam deri në javën e fundit për të arritur në Europë. Vitin e dytë kapëm Europën, luftuam deri në javën e fundit kundër Vllaznisë. Jam larguar me kokën lart. Kam dhënë një kontribut për të cilin flasin faktet dhe statistikat”, u shpreh Musta.

Musta: Vllaznia duhet të jetë pretendente

Duke folur për aventurën e re në Shkodër, Musta tha se është përshtatur shpejt me skuadrën dhe ambientin e ri. Ai pranoi se Vllaznia nuk e ka nisur mirë kampionatin, por beson se ekipi ka potencialin për t’u rikthyer te rezultatet pozitive.

“Unë jam ndier shumë i mirëpritur në Shkodër. Me disa kam luajtur në ekipe të ndryshme, me disa kundërshtarë gjatë gjithë këtyre viteve. Nuk e kam pasur të vështirë për t’u përshtatur në Shkodër”, deklaroi ai.

Musta e konsideron Vllazninë një skuadër me eksperiencë dhe cilësi, ndërsa beson se periudha e pushimit do t’i shërbejë ekipit për t’u konsoliduar.

“E kemi nisur pak keq. Është pak e vështirë sepse kemi lënë disa pikë, por mendoj se kemi forca të ringrihemi dhe të rikthehemi sërish te fitorja. Çdo gjë kërkon kohën e vet, por futbolli nuk të fal sepse kërkon rezultate sa më të shpejta.”

Sa i përket objektivave, mbrojtësi është i drejtpërdrejtë: Vllaznia duhet të synojë lart.

“Patjetër që e shoh Vllazninë si pretendente. Duke parë cilësitë, lojtarët, eksperiencën, ambientin dhe tifozët, sa e duan ekipin, është mëkat që Vllaznia të mos jetë pretendente. Kështu që jemi.”

Në fund, Musta vlerësoi mbështetjen e tifozëve shkodranë dhe u bëri thirrje shokëve të skuadrës që këtë mbështetje ta shpërblejnë me rezultate në fushën e lojës.

“Tifozeria na ka mbështetur nga java e parë që jam këtu. Kam parë që janë të shumtë. E ndjekin dhe e duan shumë ekipin edhe në transferta. Kemi një borxh më shumë ndaj tyre, që t’ua shpërblejmë në fushën e lojës me rezultate”, përfundoi Emiljano Musta./P.S

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Aksident fatal në aksin Elbasan–Peqin, humb jetën një këmbësore

ELBASAN ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Një aksident i...

Ngushtica e Hormuzit boshatiset, vetëm 12 anije kaluan gjatë fundjavës mes tensioneve të larta dhe ngërçit SHBA-Iran

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Trafiku detar përmes...

“Europexplores” Shqipëria merr kurorën si destinacioni më i mirë i udhëtimeve në Evropë

TIRANË ,21 shtator 2026 /Albania Express News/-Shqipëria po tërheq...

Amedspor i Besnik Hasit trondit Besiktasin, ngjitet në krye të Superligës turke

TURQI, 21 shtator 2026 /Albania Express News/ – Amedspor...