TIRANË, 21 shtator 2026 /Albania Express News/ – Java e re nis me një përkeqësim të lehtë të kushteve atmosferike, me reshje shiu në pjesën më të madhe të territorit dhe shtrëngata të izoluara, kryesisht përgjatë zonave malore.
Për ditën e hënë, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike relativisht të paqëndrueshme. Moti do të nisë me kthjellime, ndërsa gradualisht pritet shtim i vranësirave, të cilat do të jenë mesatare deri të dendura në të gjithë territorin.
Reshjet e shiut parashikohen kryesisht me intensitet të ulët dhe do të shfaqen në pjesën më të madhe të vendit nga orët e mesditës deri në pasditen e vonë.
Në mënyrë lokale dhe të izoluar, veçanërisht përgjatë relieveve malore, reshjet mund të shoqërohen me shtrëngata dhe shkarkesa elektrike.
Sa i përket erës, ajo do të fryjë nga verilindja në veriperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s. Përgjatë vijës bregdetare, veçanërisht në atë jugperëndimore, si dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet dhe të arrijë shpejtësi deri në 17 m/s.
Në det, valëzimi pritet të jetë i forcës 1–2 ballë, duke ruajtur përgjithësisht kushte të moderuara.
Sipas parashikimit, dita e parë e javës do të karakterizohet nga një mot i ndryshueshëm, ndaj qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve, veçanërisht në zonat ku mund të ketë reshje më të dendura dhe shtrëngata të izoluara.

