HAGË, 16 shtator 2026 /Albania Express News/ – Ka nisur në Hagë seanca e Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku po shpallet aktgjykimi i shkallës së parë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Seanca është caktuar të nisë në orën 10:00 dhe vendimi po bëhet i ditur veçmas për secilin prej katër të akuzuarve.
Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues po paraqet arsyetimin e tij lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në zhvillimet e para të seancës është deklaruar se nuk janë provuar krimet kundër njerëzimit, ndërsa gjykata po vijon me shqyrtimin dhe arsyetimin e përgjegjësisë individuale të secilit prej të akuzuarve.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit – përfshirë përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë – si dhe katër akuza për krime lufte. Të katër i kanë mohuar akuzat.
Procesi gjyqësor nisi më 3 prill 2023 dhe përfundoi fazën e provave më 18 dhjetor 2025. Në gjykim kanë dëshmuar gjithsej 134 persona në sallën e gjyqit, ndërsa Prokuroria kishte thirrur 125 dëshmitarë. Deklaratat përmbyllëse u zhvilluan në shkurt të vitit 2026.
Prokuroria kishte kërkuar dënime me nga 45 vjet burgim për secilin prej katër të akuzuarve, ndërsa mbrojtja ka kërkuar rrëzimin e akuzave.
Shpallja e aktgjykimit po ndiqet me vëmendje të madhe në Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë. Në Prishtinë dhe në qytete të tjera janë zhvilluar aktivitete në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa në Hagë janë mbledhur mbështetës dhe autoritetet holandeze kanë shtuar masat e sigurisë pranë selisë së Dhomave të Specializuara.
Vendimi i sotëm është aktgjykim i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë të apelojnë, në përputhje me procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Albania Express News do të ndjekë në vijimësi shpalljen e vendimit dhe arsyetimin e trupit gjykues për secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së.

