TIRANË ,16 shtator 2026 /Albania Express News/-
Pak para shpalljes së aktgjykimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbështetësve të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të mbledhur pranë objektit të gjykatës, u është kërkuar të zhvendosen nga hapësirat përreth ndërtesës.
Vendimi i shkallës së parë për katër ish-krerët e UÇK-së pritet të shpallet sot, më 16 shtator, në orën 10:00, ndërsa aktgjykimi do të bëhet i ditur veçmas për secilin prej të akuzuarve.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër i kanë mohuar akuzat dhe kanë kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë lidhur me përgjegjësinë e tyre.
Procesi gjyqësor në Hagë ka zgjatur më shumë se katër vite dhe ka përfshirë dëshmitë e mbi 100 personave. Gjatë procesit, Prokuroria ka paraqitur provat e saj, ndërsa mbrojtja ka paraqitur dëshmitarë dhe argumente në kundërshtim me akuzat.
Në Kosovë, shpallja e aktgjykimit është shoqëruar me tubime në mbështetje të katër ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa edhe në Hagë janë mbledhur mbështetës të tyre, në pritje të vendimit.
Ora 10:00 pritet të shënojë një nga momentet më të rëndësishme të këtij procesi gjyqësor, ndërsa vendimi do të përcaktojë vijimësinë e çështjes në instancat e tjera të Dhomave të Specializuara.

