HAGË, 16 shtator 2026 /Albania Express News/- Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Trupi gjykues i ka shpallur katër të akuzuarit fajtorë për një sërë krimesh lufte, ndërsa i ka shpallur të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Në total, katër ish-drejtuesit e UÇK-së janë dënuar me 81 vite burgim.
Dënimet e dhëna nga gjykata janë:
- Hashim Thaçi – 25 vite burgim
- Kadri Veseli – 18 vite burgim
- Rexhep Selimi – 13 vite burgim
- Jakup Krasniqi – 25 vite burgim
Sipas aktgjykimit, katër të pandehurit janë gjetur fajtorë për veprat penale të ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Gjykata ka konstatuar se krimet për të cilat është dhënë dënimi kanë prekur një numër të konsiderueshëm viktimash dhe janë kryer në disa zona të Kosovës, si dhe në pjesë të veriut të Shqipërisë.
Dënimet për secilin prej të akuzuarve
Për Rexhep Selimin, trupi gjykues përcaktoi dënime individuale prej 6 vitesh për ndalim të paligjshëm, 2 vitesh për trajtim mizor, 8 vitesh për torturë dhe 11 vitesh për vrasje të paligjshme. Në përfundim, dënimi i njësuar u përcaktua në 13 vite burgim, duke marrë parasysh edhe kohën e kaluar në paraburgim.
Për Jakup Krasniqin, gjykata përcaktoi 15 vite për ndalim të paligjshëm, 4 vite për trajtim mizor, 20 vite për torturë dhe 23 vite për vrasje të paligjshme. Dënimi i njësuar për të është 25 vite burgim, me llogaritjen e kohës së kaluar në paraburgim.
Sa u përket Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, trupi gjykues i shpalli fajtorë për krimet e luftës që lidhen me ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen e paligjshme. Thaçi u dënua me 25 vite burgim, ndërsa Veseli me 18 vite burgim.
Gjykata nuk gjeti përgjegjësi për krime kundër njerëzimit
Një nga elementet kryesore të aktgjykimit është se trupi gjykues nuk i shpalli fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për krime kundër njerëzimit.
Sipas gjykatës, Prokuroria Speciale nuk arriti të provojë përtej standardit të kërkuar se ishte kryer një sulm i përhapur ose sistematik ndaj një popullsie civile, si element i domosdoshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Procesi gjyqësor në Hagë nisi në prill 2023 dhe përfshiu një volum të madh provash dhe dëshmish. Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se në proces kanë dëshmuar 134 dëshmitarë dhe se procedurat e provave u mbyllën në dhjetor 2025.
Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë vendimin në përputhje me procedurat e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

