TIRANË, 08 shtator 2026 /Albania Express News/ – Nisja e sesionit të ri parlamentar këtë të martë është shoqëruar me protesta dhe tensione të forta jashtë ambienteve të Kuvendit.
Gjatë protestës, situata është përshkallëzuar, pasi protestuesit kanë bllokuar disa prej rrugëve pranë Parlamentit dhe janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit.
Protestuesit kanë hedhur vezë dhe shishe uji në drejtim të efektivëve, ndërsa policia ka ndërhyrë për të rikthyer perimetrin e sigurisë dhe për të shpërndarë personat që kanë kaluar barrierat e vendosura në zonë.
Në kuadër të ndërhyrjes policore janë shoqëruar disa protestues, ndërsa mes personave të shoqëruar raportohet edhe Adriatik Lapaj.
Zona përreth Kuvendit është blinduar nga forca të shumta policie, ndërsa përplasjet dhe bllokimi i qarkullimit kanë shkaktuar tensione edhe në rrugët përreth.
Protesta ka vijuar paralelisht me seancën plenare, e cila zgjati rreth një orë.
Nisjes së sesionit të ri parlamentar i kanë paraprirë debate në Konferencën e Kryetarëve, veçanërisht lidhur me çështjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Situata jashtë Kuvendit mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e policisë vijojnë të monitorojnë protestën dhe të ndërhyjnë në rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë.

