TIRANË ,08 shtator 2026 /Albania Express News/-Intensifikimi i masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, rritja e sigurisë publike dhe rrugore, si dhe garantimi i sigurisë në shkolla kanë qenë në fokus të takimeve të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, me strukturat policore në Vlorë, Gjirokastër, Shkodër dhe Lezhë.
Në kuadër të forcimit të masave për sundimin e ligjit në territor, Hita ka zhvilluar takime me strukturat vendore të Policisë dhe ato të Policisë Kufitare, ku është analizuar situata e rendit dhe sigurisë në këto qarqe.
Një prej çështjeve kryesore të diskutimit ka qenë situata kriminale, me fokus të veçantë te krimet e rënda, kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike. Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar angazhim maksimal nga strukturat e Policisë Kriminale për sigurimin e informacionit dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete ndaj personave që qarkullojnë me armë zjarri, armë të ftohta, lëndë eksplozive apo lëndë narkotike.

Hita ka kërkuar gjithashtu intensifikimin e kontrolleve dhe hetimeve ndaj personave të përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, duke theksuar nevojën për një ndryshim të menjëhershëm të situatës, si në drejtim të krimeve të rënda, ashtu edhe të fenomenit të kultivimit të kanabisit.
“Të punohet me hetime proaktive për të evidentuar dhe goditur grupet kriminale dhe të intensifikohet puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë”, ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm.
Siguria rrugore, një tjetër prioritet
Në takime është diskutuar edhe situata e sigurisë rrugore. Sipas drejtimit të Policisë së Shtetit, pavarësisht angazhimit të strukturave të Policisë Rrugore dhe përdorimit të mjeteve inteligjente, vijon të konstatohet një numër i konsiderueshëm shkeljesh të rregullave të qarkullimit.

Hita ka kërkuar rritjen e kontrolleve dhe reagimit ndaj shkeljeve që përbëjnë rrezik për jetën e përdoruesve të rrugës dhe mund të shndërrohen në burim të ngjarjeve të rënda rrugore.
Siguria në shkolla para nisjes së vitit të ri shkollor
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe sigurisë në shkolla, në prag të nisjes së vitit të ri shkollor.
Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar që Policia e Shtetit të marrë të gjitha masat për garantimin e sigurisë së nxënësve, duke e parë këtë çështje në mënyrë gjithëpërfshirëse.
Përveç sigurisë fizike, Hita ka kërkuar vëmendje edhe për sigurinë ushqimore, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, si dhe për sigurinë kibernetike dhe sigurinë rrugore pranë institucioneve arsimore.

Qëllimi, sipas tij, është që nxënësit të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt gjatë procesit mësimor.
Hita: Qytetarët duhet të marrin përgjigje dhe zgjidhje
Etika në komunikim, respektimi i ligjshmërisë dhe trajtimi në kohë i shqetësimeve të qytetarëve kanë qenë gjithashtu pjesë e diskutimeve me drejtuesit vendorë të Policisë.
Hita u ka kërkuar shefave të komisariateve dhe drejtuesve të qarqeve të rrisin angazhimin në komunikimin me qytetarët, duke i pritur ata kur kanë problematika në kompetencë të Policisë, t’u përgjigjen telefonatave dhe të ndjekin në dinamikë shqetësimet e adresuara.
Sipas drejtimit të Policisë së Shtetit, shërbimi ndaj qytetarit dhe zbatimi korrekt i ligjit duhet të jenë pjesë e pandashme e punës së çdo strukture policore.

Policia Kufitare, luftë pa kompromis ndaj krimeve ndërkufitare
Gjatë takimeve, vëmendje i është kushtuar edhe punës së Policisë Kufitare. Hita ka kërkuar rritjen e standardeve të komunikimit dhe etikës me qytetarët në pikat e kalimit kufitar, si dhe luftë pa kompromis ndaj veprimtarive kriminale ndërkufitare.
Një tjetër prioritet është forcimi i bashkëpunimit me homologët e vendeve fqinje, me qëllim shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve kundër paligjshmërive ndërkufitare.
Në rastet e flukseve të larta në pikat kufitare, Drejtori i Përgjithshëm ka kërkuar gjithashtu koordinim më të mirë të strukturave për eliminimin e radhëve dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve.
Takimet me strukturat e Policisë në qarqe pritet të shërbejnë si pjesë e procesit të intensifikimit të masave për forcimin e rendit, sigurisë publike dhe zbatimit të ligjit në të gjithë territorin.


