SARANDË, 6 shtator 2026/Albania Express News/- Një operacion i gjerë policor kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje është finalizuar në Sarandë, pas një hetimi dy-mujor të zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Prokurorinë.
Operacioni, i koduar “Vjeshta”, ka çuar në kapjen dhe ndalimin e 20 personave, ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë kishte caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.
Në kuadër të aksionit, policia ka sekuestruar 2 armë zjarri pistoletë, sasi kokaine dhe kanabisi të ndara në dhjetëra doza, të dyshuara se ishin për shitje, 4 automjete, 19 aparate celulare, si dhe një shumë parash në lekë dhe euro.
Armët e zjarrit u gjetën gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj shtetasve D. S. dhe Sh. B. Ato janë sekuestruar si prova materiale dhe do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore.
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, më 31 korrik 2026, policia kishte arrestuar në flagrancë edhe tre persona, ndërsa kishte sekuestruar rreth 5 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar kanabis.
Sipas hetimeve, personat e përfshirë dyshohet se ushtronin aktivitetin e shitjes së lëndëve narkotike në zonën e Sarandës, përfshirë zonat e plazheve, lokalet e natës dhe ambientet pranë shkollave. Hetuesit dyshojnë se një pjesë e lëndës narkotike synohej të shpërndahej në Sarandë dhe Ksamil.
Gjatë operacionit u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi E. N., 36 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se kundërshtoi shërbimet e Policisë për të mos lejuar kontrollin në një prej dhomave të hotelit ku u kap njëri prej personave të arrestuar dhe u gjet një armë zjarri.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, Forcën Kombëtare të Sigurisë, Njësitë Fier dhe Tiranë, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë Sarandë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, përcaktimin e përgjegjësive individuale dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në aktivitetin e dyshuar kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë Sarandë për veprime të mëtejshme.

