FIER , 05 shtator 2026/Albania Express News/-Një situatë dramatike është regjistruar pasditen e djeshme gjatë zjarrit të përmasave të mëdha që përfshiu zonën e Levanit në Fier.
Siç raporton korrespondenti i Top Channel Neritan Trifoni, dy efektivë policie, të cilët kishin shkuar në ndihmë të banorëve për të luftuar flakët që po përhapeshin drejt ullishteve dhe pronave të tyre, kanë mbetur pa automjetet personale.
Efektivët i kishin parkuar makinat në një zonë që e kishin konsideruar të sigurt, ndërsa më pas iu bashkuan banorëve në përpjekjet për të ndalur përhapjen e zjarrit.
Por flakët, të favorizuara nga era dhe përhapja e shpejtë, kanë ndryshuar drejtim duke përfshirë edhe zonën ku ndodheshin automjetet. Kur dy efektivët janë rikthyer, kanë gjetur makinat e tyre të shkrumbuara.
Teksa efektivët zjarrfikës ishin të përqendruar në luftën për vënien nën kontroll të situatës dhe shpëtimin e banesave e pronave të banorëve, zjarri është afruar pranë automjeteve të tyre, duke i shkrumbuar.
Zjarri i djeshëm në zonën e Levanit mori përmasa të mëdha, duke djegur sipërfaqe me ullishte dhe duke krijuar momente të vështira për banorët dhe forcat e angazhuara në operacionin për shuarjen e flakëve

