10 vite nga shenjtërimi i Nënë Terezës, shqiptarja që frymëzoi botën

TIRANË, 5 shtator 2026/Albania Express News/- Sot shënohen 10 vite nga një prej momenteve më të rëndësishme në historinë e Nënë Terezës, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, figurës shqiptare që u shndërrua në një simbol botëror të mëshirës, bamirësisë dhe përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë.

Më 4 shtator 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Françesku drejtoi Meshën e Shenjtërimit të murgeshës shqiptare, duke e shpallur zyrtarisht Shën Tereza e Kalkutës. Ceremonia u zhvillua në kuadër të Jubileut të Mëshirës dhe mblodhi më shumë se 120 mijë besimtarë nga vende të ndryshme të botës, mes tyre edhe një numër i madh shqiptarësh.

Një ditë më pas, më 5 shtator, u zhvillua ceremonia e regjistrimit të saj në Kalendarin e Përgjithshëm Romak. Data përkon me përvjetorin e ndarjes së saj nga jeta, më 5 shtator 1997.

Procesi i shenjtërimit u mbështet në njohjen nga Selia e Shenjtë të dy mrekullive të atribuuara ndërmjetësimit të Nënë Terezës pas vdekjes së saj. Përpara shpalljes shenjtore, ajo ishte lumturuar nga Papa Gjon Pali II në vitin 2003, pas njohjes së mrekullisë së parë.

Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 në Shkup, në një familje me origjinë shqiptare. Që në moshë të re iu përkushtua jetës fetare, ndërsa në vitin 1929 nisi misionin e saj në Indi.

Në vitin 1950 themeloi Kongregatën e Misionareve të Bamirësisë, e cila me kalimin e viteve u shndërrua në një prej organizatave më të njohura në botë për shërbimin ndaj të varfërve, të sëmurëve dhe njerëzve në nevojë.

Kontributi i saj humanitar u vlerësua në mbarë botën. Në vitin 1979, Nënë Tereza u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Ajo kërkoi që fondet e çmimit të përdoreshin për të ndihmuar njerëzit e varfër.

Lidhja e Nënë Terezës me Shqipërinë mbeti e fortë gjatë gjithë jetës së saj. Pas rënies së komunizmit, ajo vizitoi vendin e origjinës së familjes së saj dhe kontribuoi në hapjen e shtëpive të Misionareve të Bamirësisë, duke nisur një mision humanitar që vijon edhe sot.

Arkivi fotografik i Agjencisë Telegrafike Shqiptare ruan momente të rëndësishme nga vizitat e saj në Shqipëri, përfshirë mbërritjen në aeroportin e Rinasit, takimet me fëmijë e besimtarë, vizitat në institucione fetare dhe hapjen e shtëpisë së bamirësisë në Tiranë.

Nënë Tereza kishte vizituar Shqipërinë edhe në vitin 1989. Në vitin 1993, ajo u takua me Papa Gjon Palin II gjatë vizitës historike të këtij të fundit në Shqipëri.

Në nder të figurës dhe veprës së saj, 5 shtatori është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë. Në Shqipëri, kjo datë zëvendësoi 19 shtatorin, ditën e mëparshme të kremtimit të Lumturimit të Nënë Terezës, si një datë e rëndësishme përkujtimore.

Dhjetë vite pas shenjtërimit, Nënë Tereza vijon të mbetet një prej figurave shqiptare më të njohura në botë dhe një simbol i përkushtimit, mëshirës, humanizmit dhe shërbimit ndaj njerëzve në nevojë.

Nënë Tereza u nda nga jeta më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Vepra e saj humanitare dhe mesazhi i saj për dashurinë dhe shërbimin ndaj të tjerëve vazhdojnë të kenë jehonë në mbarë botën.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME