STAMBOLL, 02 shtator 2026 / Albania Express News / – Dy anije tregtare me flamur turk janë përplasur në orët e para të mëngjesit në Detin e Marmarasë, në brigjet e Stambollit, ndërsa autoritetet turke kanë humbur kontaktin me njërën prej tyre dhe me 10 anëtarët e ekuipazhit.
Sipas Zyrës së Guvernatorit të Stambollit, përplasja ndodhi rreth orës 03:00, rreth 18 milje detare në jug të distriktit Silivri.
Në aksident u përfshinë anija tregtare Alsu, e cila po udhëtonte nga Kocaeli drejt portit të Aliağas, dhe Tuğberk İmamoğlu, e cila ishte nisur nga porti i İskenderunit me destinacion Karadeniz Ereğli, në Detin e Zi.
Menjëherë pas incidentit, në zonë u dërguan mjete të Rojës Bregdetare dhe të Shërbimit të Sigurisë Bregdetare, si dhe një helikopter, për të zhvilluar operacionet e kërkim-shpëtimit.
Kontrollet e para treguan se Alsu nuk kishte dëmtime të dukshme. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë mundur të vendosin kontakt me anijen Tuğberk İmamoğlu dhe 10 personat që ndodheshin në bord.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon në zonën ku ndodhi përplasja, ndërsa autoritetet turke po punojnë për lokalizimin e anijes dhe ekuipazhit.
Sipas të dhënave të Dhomës së Tregtisë Detare të Stambollit, Tuğberk İmamoğlu është një anije transportuese mallrash me shumicë, ndërsa Alsu është një tanker për transportin e produkteve kimike.
Deri në këto momente nuk ka të dhëna zyrtare për fatin e 10 anëtarëve të ekuipazhit.

