NEW YORK, 2 shtator 2026 / Albania Express News / – Një zëvendëspresidente e Bank of America është vrarë me thikë në Times Square, në New York, në një sulm që autoritetet e kanë cilësuar si të rastësishëm dhe të paprovokuar.
Ngjarja ndodhi të hënën, rreth orës 16:24 sipas kohës lokale, pranë West 42nd Street dhe Seventh Avenue, në zemër të Manhattanit.
Viktima është identifikuar nga New York City Police Department (NYPD) si Erin Piacenti, 32 vjeçe. Bank of America konfirmoi vdekjen e punonjëses së saj, duke e cilësuar atë një anëtare të çmuar të ekipit.
Sipas profilit të saj në LinkedIn, Piacenti mbante pozicionin e zëvendëspresidentes në njësinë Business Selection and Conflicts të Bank of America.
Komisionerja e NYPD-së, Jessica Tisch, deklaroi se nga të dhënat paraprake sulmi duket se ka qenë i rastësishëm dhe i paprovokuar.
Sipas policisë, kur efektivët mbërritën në vendngjarje, gjetën Pamela Cisneros, 49 vjeçe, e cila mbante dy thika të mëdha në duar dhe u drejtua në drejtim të policëve.
Efektivët qëlluan ndaj 49-vjeçares, e cila më vonë u shpall e vdekur. Komisionerja Tisch tha se Cisneros kishte një histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Në sulm mbeti i plagosur edhe një 68-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë publik. Sipas NYPD-së, ai kishte marrë plagë nga thika dhe ndodhej në gjendje të qëndrueshme.
Pas incidentit, disa prej rrugëve të Midtown Manhattan u bllokuan përkohësisht, ndërsa në zonë mbërritën një numër i madh automjetesh të emergjencës.
Zyra e Bank of America në Manhattan ndodhet në One Bryant Park, në afërsi të Times Square.
“Jemi të tronditur dhe thellësisht të pikëlluar nga humbja tragjike e koleges sonë. Ajo ishte një anëtare e çmuar e ekipit dhe do të na mungojë shumë. Zemrat tona janë me familjen e saj dhe të gjithë njerëzit e saj të dashur”, deklaroi Bank of America për Reuters.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivet e sulmit.

