Zjarri në malin e Qukësit në bashkinë Prrenjas vijon prej javësh, zjarrfikësit frenojnë përhapjen në terren ekstremisht të thyer

NGA FATMIR POPJA

PRRENJAS, 26 gusht 2026 / Albania Express News/ – Zjarri i aktivizuar në malin e Qukësit, në Njësinë Administrative Qukës të Bashkisë Prrenjas, vijon të mbetet nën monitorim dhe kontrollin e shërbimit zjarrfikës, ndërsa terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe erërat e forta e kanë bërë ndërhyrjen veçanërisht të komplikuar.

Pas riaktivizimit të zjarrit gjatë pasdites së djeshme, në pjesën veri-perëndimore të vatrës, shërbimi zjarrfikës i Bashkisë Prrenjas organizoi menjëherë lëvizjen e forcave dhe mjeteve për ndërhyrje.

Operacioni sipas z.Xhemal Facja ,Drejtor i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në bashkinë Prrenjas nisi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës dhe vijoi për rreth 11 orë pa ndërprerje, me synim frenimin e përparimit të flakëve dhe izolimin e vatrave aktive.

Gjatë ndërhyrjes u hapën qindra metra transhe ndarëse, duke krijuar breza sigurie për të penguar avancimin e zjarrit. Në pjesët ku terreni lejonte ndërhyrjen, u përdorën pompa shpine dhe mjete të tjera të lehta për shuarjen e vatrave dhe ftohjen e zonave të prekura.

Sipas informacionit zyrtar, ndërhyrja ka bërë të mundur që zjarri të vihet nën kontroll dhe të ndalet përparimi i mëtejshëm i tij.

Një vatër që prej 2 gushtit

Problematika në malin e Qukësit nuk është e re. Zjarri u aktivizua fillimisht më 2 gusht 2026 dhe, pavarësisht ndërhyrjeve të vazhdueshme, vatrat janë shfaqur në pika të ndryshme të masivit malor.

Pas vatrës fillestare, zjarri ka vijuar në zonat e Dritës së Berzheshtës, Lugut të Lakrës dhe së fundmi në Lugu i Çerrit, ku gjatë gjithë muajit gusht janë zhvilluar ndërhyrje për izolimin dhe shuarjen e plotë të tyre.

Situata është komplikuar nga karakteristikat e terrenit. Bëhet fjalë për një zonë ekstremisht të thyer, ku dominojnë formacionet shkëmbore, trungjet dhe bari i thatë. Këto kushte kufizojnë ndjeshëm mundësinë e lëvizjes së mjeteve dhe të forcave zjarrfikëse.

Për këtë arsye, ndërhyrja në terren është mbështetur në masë të madhe nga forcat në këmbë, pajisjet e lehta dhe krijimi i brezave ndarës.

Temperaturat dhe era favorizojnë riaktivizimin

Një prej vështirësive kryesore gjatë gjithë operacionit ka qenë fakti se, edhe pasi vatrat janë izoluar, temperaturat e larta dhe era e fortë kanë favorizuar herë pas here daljen e zjarrit jashtë perimetrit të kontrolluar.

Sipas shërbimit zjarrfikës, vatrat e fshehura në brendësi të terrenit kanë krijuar mundësi për riaktivizime në drejtime të ndryshme, duke kërkuar ndërhyrje të vazhdueshme.

Pavarësisht këtyre vështirësive, puna e përditshme e forcave zjarrfikëse ka bërë të mundur ngritjen e një brezi sigurie, duke parandaluar që zjarri të marrë përmasa më agresive dhe të përhapet në zona të tjera.

Në operacion kanë dhënë kontribut edhe forcat e Administratës së Zonave të Mbrojtura (ADZM), të cilat kanë ndërhyrë për dy ditë, ndërsa kompani private kanë ofruar ndihmë të rëndësishme për transportin dhe vënien në dispozicion të mjeteve të nevojshme për operacionin.

Brenda vatrës vijojnë të digjen mbetje drusore dhe trungje

Megjithëse zjarri është izoluar dhe përparimi i tij është frenuar, brenda perimetrit të prekur vijojnë të jenë aktive pika të veçanta, kryesisht në materiale drusore.

Sipas vlerësimit të shërbimit zjarrfikës, sipërfaqja e përfshirë nga daljet dhe bashkimi i disa vatrave llogaritet në rreth 8–10 hektarë.

Në brendësi të kësaj sipërfaqeje digjen kryesisht mbetje drusore dhe trungje, shuarja e të cilave kërkon sasi shumë të mëdha uji dhe ndërhyrje të përsëritura.

Pikërisht për shkak të terrenit dhe vështirësisë për të transportuar sasi të mëdha uji në zonat më të thella, puna po përqendrohet në izolimin e vatrave, parandalimin e përhapjes dhe monitorimin e vazhdueshëm.

Banorë të zonës monitorojnë situatën

Për të garantuar reagim sa më të shpejtë në rast të ndonjë riaktivizimi, shërbimi zjarrfikës ka caktuar persona që banojnë në zonë për monitorimin e situatës.

Ata kanë detyrë të sinjalizojnë menjëherë çdo zhvillim të papritur apo shfaqje të re të zjarrit, duke mundësuar ndërhyrjen në kohë të forcave zjarrfikëse.

Shërbimi zjarrfikës i Prrenjasit vijon të mbajë situatën nën kontroll, ndërsa fokusi mbetet te parandalimi i përhapjes së zjarrit përtej brezit të sigurisë dhe shuarja graduale e vatrave të mbetura në brendësi të masivit.

Zjarri në malin e Qukësit përbën një ndër situatat më të vështira të menaxhuara gjatë këtij gushti në zonën e Prrenjasit, për shkak të kohëzgjatjes, terrenit të thyer dhe kushteve të pafavorshme atmosferike që kanë shoqëruar ndërhyrjet.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Dinamo kërkon historinë në Qipro, Daja: “Duhet të jemi efikasë”, Dita: “Do të japim 101%!”

TIRANË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo do të...

Përmbytjet katastrofike në Nepal, të paktën 95 viktima dhe qindra të zhdukur

NEPAL , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Të paktën 95...

Intelektuali i Gramshit Enver Qose, 75 vite jetë dhe përkushtim për vendlindjen e tij dhe jo vetëm

GRAMSH , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Një jetë e...