TIRANË , 26 gusht 2026/Albania Express News/-Pas takimeve dy ditore në 23dhe 24 gusht në Tushemisht të Pogradecit, kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një tjetër takim me ministrat dhe drejtuesit politik të Partisë Socialiste në Qarqe.
Mësohet se Rama ka thirrur takimin me anëtarët e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit e PS-së në selinë e PS-së. Ndërsa bëhet me dije se mbledhja do të zhvillohet të premten në orën 17:00 në selinë e Partisë Socialiste në Tiranë.
U raportua se pas këtij takimi, kryeministri Edi Rama do të nisë një tur në 12 qarqet e vendit, ku do të diskutohet dokumenti strategjik Besa dhe “Pasqyra Albania”.
Kujtojmë që në takimet në Tushemisht, Rama u kërkoi drejtuesve politikë të japin opinionet dhe sugjerimet e tyre lidhur me bashkëqeverisjen, si dhe me bashkërendimin mes pushtetit qendror dhe atij lokal. Në fokus ka qenë nevoja për një ritëm më të shpejtë pune dhe për një koordinim më të mirë në zbatimin e objektivave të qeverisë.
Në takim ministrat kanë raportuar për punën e deritanishme, arritjet dhe prioritetet për vitin në vazhdim. U raportua se Rama i ka kërkuar që administrata shtetërore të rifreskohet si dhe të punojnë për dokumentin strategjik “Besa”.
Gjithashtu raportohet se një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe paraqitjes së ministrave në daljet e tyre publike dhe në media.

