TIRANË , 25 gusht 2026/Albania Express News/-Në takimin e zgjeruar dyditor të kryeministrit Edi Rama me ministrat e kabinetit qeveritar dhe drejtuesit politik të Partisë Socialiste në qarqe që u zhvillua në qytetin e Pogradecit, u nënvizua veçanërisht rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga kjo mbledhje ku u diskutuan pikat kryesore të platformës strategjike “Besa”, dokumenti “Prania Besnike” si dhe “Pasqyra Albania”.
“Ndjesia e mirë e një sezoni politik me energji të reja dhe të tjerë hapa vendimtarë drejt Shqipëri 2030, ku rritja cilësore e ndërveprimeve me njerëzit do të jetë domethënëse, buron edhe nga fakti i angazhimit e reflektimit serioz që mori formë në dy ditët e maratonës së Pogradecit”, u shpreh ndër të tjera kryeministri.
Në fjalën e mbajtur gjatë kësaj mbledhje, Rama nënvizoi rëndësinë e rolit të drejtuesve politikë në qarqe.
“Fiksimi jonë duhet të jetë shqetësimi i çdo qytetari prandaj drejtuesve politikë duhet t’u japim fuqi që ta ndjekin territorin aty dhe ministrave do të duhet t’i japim detyrimin që çdo muaj të ndjekin vetë personalisht gjithë drejtoritë. Në qoftë se është një grup deputetësh që fokusohen bashkë dhe i marrin në analizë bashkë atëhere gjërat ndryshojnë”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri ndau edhe opinionet e ministrave dhe deputetëve socialistë mbi dokumentet kryesore të analizuara në këtë mbledhje.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi u shpreh se “do të ishte me vlerë që të kishte edhe nga një ‘Njësi Besa’ në secilën ministri”.
Ndërsa ministrja e Arsimit, drejtuese politike e Qarkut Gjirokastër, Mirela Kumbaro vlerësoi se dokumenti “Besa” synon që të vërë emra konkretë për shqetësime që artikulohen në publik.
Drejtuesi Politik i Qarkut Kukës, deputeti Erion Malaj tha se sfida më e madhe do të jetë si të kthehet dëgjimi në vendimmarrje dhe rezultat.
Ndërkohë emërtimi “Besa” për deputetin Eduard Shalsi, nënkryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, është shumë i fuqishëm. “‘Besa’ është gjetje jashtëzakonisht interesante, shumë e fortë”, shtoi ai.
Për deputeten Evis Kushi, sekretare e Gruas në Partinë Socialiste, një reflektim i tillë i thellë është i domosdoshëm.
Ndërsa për kryetarin e Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale Fatmir Xhafaj duhet të formohet një sistem i dyfishtë besueshmërie përmes marrëdhënies qeveri-qytetar.
Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Milva Ekonomi u shpreh se “kjo është komplet një kulturë e re që ne duam të përqafojmë në qeverisje”.
Drejtuesi Politik i Qarkut Dibër, Ulsi Manja u shpreh gjatë diskutimeve se kësaj tryeze i kërkohet vullnet politik.
Ndërsa për Sekretarin e Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi “PS mund ta bëjë këtë gjë dhe do ta bëjë më mirë se sa të tjerët”.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi theksoi se besimin e ndërtojmë përmes të vërtetave dhe fakteve, pra përmes punës.
Për deputeten Belinda Balluku, drejtuese politike e Qarkut Fier, zgjidhja duhet të jetë e dedikuar dhe, leximi duhet të bëhet në disa nivele.
Ndërsa drejtuesja Politike e Partisë Socialiste për Tiranën, Ogerta Manastirliu tha se duhet të njihen problemet e familjes si dhe problemet e biznesit, problemet e profesionistit por edhe të pensionistit.
Për Arbjan Maznikun, drejtuesi politik i Qarkut Elbasan, si “Besa” ashtu edhe “Prania besnike” ngrenë një shqetësim që është shumë domethënës, pasi pas një periudhe të gjatë qeverisje ekziston rreziku i erozionit të besimit.
Për drejtuesin politik të Qarkut Vlorë, Bledi Çuci ”Besa” është një lloj imponimi që ka ardhur nga shoqëria.
Për deputeten Iris Luarasin, zëvendëskryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, qeveria prodhon politika, partia ndërton marrëdhënie, qeveria administron shtetin, partia dëgjon njerëzit. “Ndarja është jashtëzakonisht shumë elegante”, shtoi ajo.
Ndërsa për kryetaren e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, dokumenti “Besa” e ka sjellë të plotë atë që është institucionalizimi i asaj që është qendërzim informacioni, unifikim sjellje, analizë faktesh, reagim për fazën që vjen më pas duke marrë edhe masa.
Për ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Erjona Ismailaj fryma e skuadrës nuk mund të krijohet dot nga poshtë lart, por krijohet nga lart poshtë.
Ndërsa ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo tha se ky është një sistem kombëtar i cili duhet të aplikohet në të 12 qarqet e vendit për të kuptuar atë që ndodh në territor dhe për të pasur një panoramë të qartë.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi u shpreh se interpretimi i “Pranisë besnike” i ngelet drejtuesit politik, deputetëve dhe kryetarit të partisë në rrethe.
Ndërsa ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni konsideroi si një nga problematikat kryesore, tendencën e vazhdueshme e të përhershme për të mos ndëshkuar mungesën e performancës.

