Mijëra vizitorë vendas dhe të huaj në edicionin e tretë të Festivalit të Yjeve në Fushë Studen / Kryebashkiaku Mariglen Disha: Librazhdi do të bëhet një nga polet e rëndësishme të turizmit malor

NGA FATMIR POPJA

FUSHË STUDEN -LIBRAZHD , 22 gusht 2026/-Albania Express News/-Fshati Fushë-Studën në Njësinë Administrative Steblevë në bashkinë e Librazhdit  u kthye mbrëmjen e kësaj fundjave në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në vend, teksa mijëra vizitorë nga Librazhdi, Qarku i Elbasanit, Tirana dhe qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe turistë të huaj, morën pjesë në edicionin e tretë të “Festivalit të Yjeve”.

Në një prej mjediseve më piktoreske pranë Parkut Kombëtar të Shebenikut, mes gjelbërimit të dendur, ajrit të pastër dhe qiellit  të mbushur me yje, aktiviteti i organizuar nga Bashkia Librazhd, me mbështetjen e ekipeve të saj, vullnetarëve dhe bashkëpunëtorëve, u shndërrua në një spektakël të veçantë veror.

Festivali nisi në muzgun e mbrëmjes së 21 gushtit dhe vijoi deri në orët e para të mëngjesit të ditës së dielë, duke bashkuar në të njëjtën hapësirë muzikën, natyrën, astronominë, kampingun dhe traditat lokale.

Një koncert nën qiellin e hapur

Atmosfera në Fushë-Studë ishte krejt ndryshe nga një koncert tradicional. Lëndinat ,  fusha panoramike dhe masivi i dendur pyjor përreth krijuan një amfiteatër natyror, ku mijëra persona ndoqën programin artistik dhe shijuan muzikën live.

Në skenë u ngjitën artistë të njohur, mes tyre Eneida Tarifa , Olsi Bylyku, Hatixhe Lushi , Desara Murraçi , Emra Brah , David Dreshaj , Adroilda  etj ndërsa muzika, këngët dhe atmosfera festive vijuan gjatë gjithë natës.

Familje, të rinj dhe grupe shoqërore ngritën çadrat e tyre në zonë, duke e kthyer Fushë-Studën për një natë në një kamping gjigant nën yje.
Por muzika nuk ishte e vetmja arsye që tërhoqi vizitorët.

Hëna, yjet dhe teleskopët

Një prej momenteve më të veçanta të festivalit ishte mundësia për të vëzhguar Hënën dhe qiellin e natës përmes teleskopëve.

Vizitorët patën mundësi të njiheshin më nga afër me astronominë, të merrnin pjesë në diskutime me ekspertë dhe të provonin eksperiencën e astrofotografisë.

Organizatorët kishin parashikuar gjithashtu aktivitete të tjera, përfshirë tregime dhe legjenda rreth zjarrit, duke krijuar një atmosferë që ndërthurte aventurën, argëtimin dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me natyrën.

Për shumë prej pjesëmarrësve, qëndrimi gjatë gjithë natës në çadra, larg zhurmës së qytetit dhe ndriçimit artificial, ishte një nga përvojat më të veçanta të aktivitetit.

Kryebashkiaku Mariglen Disha: Librazhdi mund të bëhet një pol i rëndësishëm i turizmit malor

Kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, e cilësoi festivalin një aktivitet që tashmë është kthyer në traditë dhe që synon të promovojë potencialet e jashtëzakonshme turistike të zonës.

Duke përshëndetur mijëra pjesëmarrësit, Disha tha se numri i lartë i vizitorëve tregon interesin në rritje për Fushë-Studën dhe destinacionet malore të Librazhdit.

“Sonte jemi bërë bashkë mijëra vetë për të kaluar një natë plot aktivitete, plot gaz e hare duke kënduar e kërcyer deri në agim. Vitet e tjera shpresoj të jemi edhe më shumë”, u shpreh ai.

Kryebashkiaku nënvizoi se promovimi i vendlindjes dhe krijimi i mundësive për zhvillimin ekonomik përmes turizmit mbeten ndër sfidat kryesore të Bashkisë Librazhd.

Sipas tij, një pjesë e komunitetit po tregon interes gjithnjë e më të madh për të investuar në turizëm, ndërsa disa iniciativa të tjera janë në proces.

“Ne si pushtet vendor po bëjmë gjithçka për t’i mbështetur dhe inkurajuar librazhdasit dhe jo vetëm në iniciativat e tyre për të investuar në turizëm. Paralelisht me investimet në këtë fushë po tregohemi mjaft ambiciozë edhe në fushatat promovuese të destinacioneve turistike”, deklaroi Disha.

Ai e konsideroi Festivalin e Yjeve një prej aktiviteteve që i shërben drejtpërdrejt këtij objektivi, duke vendosur në qendër të vëmendjes Fushë-Studën dhe Parkun Kombëtar të Shebenikut.

Një udhëtim relaksues drejt natyrës 

Për vizitorët, eksperienca nis që në rrugën drejt Fushë-Studës. Rruga e asfaltuar që të çon drejt zonës dhe më tej ofron pamje panoramike, gjelbërim dhe një udhëtim larg zhurmës së qendrave urbane.

Në kushtet e temperaturave të larta që kanë përfshirë ultësirën gjatë kësaj periudhe të gushtit, freskia e zonave malore e bën Fushë-Studën një alternativë tërheqëse për ata që kërkojnë të largohen për disa orë apo ditë nga temperaturat dhe zhurma e qytetit.

Këtu, muzika dhe natyra u bënë pjesë e së njëjtës atmosferë.

Nga festë verore në një event turistik

Për banorët e Librazhdit, “Nata e Yjeve” është kthyer tashmë edhe në një moment bashkimi mes familjeve, të rinjve, emigrantëve që rikthehen në vendlindje gjatë muajve të verës dhe vizitorëve nga qytete të ndryshme të Shqipërisë.

Por përtej aspektit festiv, aktiviteti po merr gjithnjë e më shumë rëndësi si një instrument për promovimin e turizmit malor.

Fushë-Studën, me natyrën e saj të pasur, pyjet, hapësirat panoramike, klimën më të freskët gjatë verës dhe mundësitë për kamping, ecje në natyrë dhe eksplorim, synon të jetë një destinacion i vizitueshëm gjatë gjithë vitit.

Interesi në rritje i turistëve të huaj për Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe zonat përreth po krijon gjithashtu mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë lokale, përmes bujtinave, strukturave akomoduese, gastronomisë dhe aktiviteteve turistike.

Një natë që përfundoi mes magjisë së yjeve mbi Fushë Studen 

Kur muzika u shua dhe festa nisi të largohej drejt agimit, mbi Fushë-Studë mbeti ajo që e kishte bërë këtë natë të veçantë: Hëna, yjet dhe qetësia e maleve.

Mijëra njerëz e përjetuan natën larg zhurmës urbane, në kontakt me natyrën dhe nën një qiell të hapur që u kthye në skenën më të madhe të festivalit.

Edicioni i tretë i “Festivalit të Yjeve” tregoi se Fushë-Studë nuk është vetëm një pikë panoramike e Shebenikut, por një destinacion që po fiton gjithnjë e më shumë identitetin e vet turistik.

Një natë ndryshe, që tashmë është kthyer në traditë dhe që synon të bëhet një prej ngjarjeve më të rëndësishme të verës në Librazhd.

Screenshot

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME