ELBASAN , 19 gusht 2026/Albania Express News/-Dinamo City përgatitet për një nga sfidat më të rëndësishme të aventurës së saj europiane, teksa kryeqytetasit do të përballen me Pafos-in në ndeshjen e parë të raundit “play-off” të UEFA Conference League. Në prag të këtij dueli, trajneri Ilir Daja ka dalë në konferencën për shtyp, ku ka folur për vështirësinë e përballjes, objektivat e skuadrës, gjendjen e futbollistëve dhe mënyrën se si Dinamo do ta interpretojë takimin.
Një shqetësim për teknikun kryeqytetas është gjendja fizike e disa futbollistëve. Daja bëri të ditur se në kampin dinamovit ka qarkulluar një gjendje virusale, e cila ka prekur jo vetëm lojtarët, por edhe pjesëtarë të stafit teknik. Megjithatë, trajneri shpreson që skuadra të jetë në dispozicion të plotë për ndeshjen.
“Mungesa nuk kemi, por kemi një gjendje virusale, që as neve të stafit nuk i kemi shpëtuar. Besoj që nesër do të jenë të gjithë në dispozicion, pavarësisht se ndonjë lojtar mund të jetë me minutazh të limituar, për shkak të viruseve që qarkullojnë në këto ditë vere. Kemi dhe 2-3 lojtarë që kanë qenë me terapi për t’u riaftësuar. Nesër mund t’i menaxhojmë në një mënyrë sa më të mirë të jetë e mundur”, u shpreh Daja.
Pavarësisht këtyre problemeve, trajneri i Dinamos nuk ka ndërmend që skuadra e tij të futet në fushë me një mentalitet thjesht mbrojtës. Përkundrazi, Daja paralajmëroi një Dinamo që do të kërkojë të sulmojë dhe të imponojë lojën e saj, duke ruajtur në të njëjtën kohë ekuilibrat.
“Nuk do të rrimë në fazën mbrojtëse, do të tentojmë të sulmojmë. Në fund fare, mbrojtja më e mirë është sulmi. Natyrshëm do të sulmojmë. Duhet të kemi shkallëzimet dhe ekuilibrat gjatë gjithë kohës”, deklaroi ai.
Daja e pranon se Pafos-i është një kundërshtar me një nivel të lartë dhe me futbollistë që mund të bëjnë diferencën në çdo moment. Sipas tij, skuadra qipriote nuk mbështetet vetëm te organizimi kolektiv, por disponon edhe individë me cilësi të veçanta.
“Pafos përveç se ka një ekip që funksionon mirë në grup, ka dhe individë goxha të rrezikshëm, me cilësi goxha të mira që në momente të caktuara mund të jenë dhe të rrezikshëm. Ne do të mundohemi të bëjmë lojën tonë”, theksoi trajneri.
Daja: Nëse nuk ke një ëndërr, nuk mund ta bësh realitet
Përballë një kundërshtari që sezonin e kaluar ishte pjesë e niveleve më të larta të futbollit europian, Dinamo City nuk dëshiron të dorëzohet përpara. Daja u shpreh se skuadra e tij ka të drejtë të ëndërrojë dhe se pikërisht ambicia është ajo që i ka sjellë deri në këtë fazë të kompeticionit.
“Po nuk pate një ëndërr, nuk mund të kërkosh e ta bësh realitet. Unë e kam thënë edhe në ndeshjen e parë, aty ku është më e vështirë, ndoshta është edhe më bukur për të vazhduar përpara”, tha Daja.
Trajneri kujtoi gjithashtu eksperiencën e fituar nga grupi gjatë edicioneve të fundit europiane. Një pjesë e mirë e futbollistëve të Dinamos kanë luajtur më parë në nivele të ngjashme, çka sipas Dajës ndihmon në menaxhimin e presionit dhe emocioneve që sjell një ndeshje “play-off”.
“Një pjesë e mirë e grupit kanë qenë edhe vjet në të njëjtat nivele. Është kënaqësi të luash në ‘play-off’-in e Ligës së Konferencës. Ka shumë futbollistë që nuk e kanë provuar të qenurit deri këtu”, u shpreh ai.
Eksperienca konsiderohet një faktor i rëndësishëm në një fazë të tillë të kompeticionit, ku çdo gabim mund të kushtojë shtrenjtë. Daja beson se prania e lojtarëve me përvojë e ndihmon Dinamon të ruajë qetësinë dhe ekuilibrin psikologjik.
“Kur ke futbollistë me eksperiencë brenda grupit, nuk është problem i madh të ruash ekuilibrat psikologjikë që ka një ndeshje ‘play-off’-i”, deklaroi trajneri.
Dinamo kërkon maksimumin që në ndeshjen e parë
Rrugëtimi i Dinamos deri në këtë fazë ka kaluar përmes disa përballjeve të forta europiane. Daja përmendi sfidat ndaj Astanës, Audës dhe Aluminijit, duke theksuar se skuadra e tij e ka merituar të jetë në këtë nivel të kompeticionit.
“Deri sa kemi arritur në këtë nivel, besoj që e kemi merituar. Kemi pasur ndeshje të forta si me Astanën, me Audën apo me Aluminin. Na pret një ndeshje akoma më e vështirë me Pafos”, tha ai.
Tekniku dinamovit e di mirë se përballë do të jetë një skuadër me eksperiencë të konsiderueshme europiane dhe për këtë arsye kërkon që lojtarët e tij të jenë maksimalisht të përqendruar.
“Vitin e kaluar ishte në grupet e Champions-it. E dimë që koeficienti i ndeshjes është i nivelit të vështirë”, u shpreh Daja.
Megjithatë, pavarësisht diferencave në eksperiencë dhe nivel, Dinamo do të kërkojë të luajë me guxim. Objektivi është që nga ndeshja e parë të merret maksimumi i mundshëm, përpara se skuadra të mendojë për sfidën e kthimit.
“Në fund do të tentojmë gjithçka për gjithçka, për të marrë maksimumin nga ndeshja e parë, pastaj t’i marrim ndeshjet një nga një”, përfundoi Ilir Daja.
Dinamo City e pret kështu Pafos-in me ambicie të qarta, por edhe me respekt maksimal për kundërshtarin. Për skuadrën kryeqytetase, sfida nuk është vetëm një tjetër ndeshje europiane, por një mundësi për të shkruar një tjetër kapitull në aventurën ndërkombëtare. Me mbështetjen e tifozëve, një grup me eksperiencë dhe një trajner që kërkon lojë sulmuese, Dinamo synon të bëjë hapin e parë drejt një kualifikimi që do të ishte historik.

