Kryebashkiaku i Maliqit, Gëzim Topçiu, ka folur publikisht për herë të parë për reformën e re territoriale dhe projektligjin që parashikon bashkimin e Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë.

MALIQ ,18 gusht 2026/Albania Express News/-Gjatë konsultimit publik, Topçiu pranoi se ende nuk janë të qarta të gjitha pasojat që mund të sjellë reforma, veçanërisht sa i përket statusit të Maliqit, kompetencave, financave dhe investimeve.

Sipas tij, nëse këto pikëpyetje ekzistojnë për drejtuesit vendorë, ato janë edhe më të mëdha për qytetarët. Topçiu theksoi se një reformë e tillë nuk mund të vlerësohet thjesht me një përgjigje “po” ose “jo”, pasi ndryshimi i hartës territoriale kërkon edhe ndërhyrje të tjera ligjore.

“Ende unë jam i paqartë për atë çfarë do të ndodhë, në kuptimin çfarë do të ndryshojë në qoftë se do të miratohet kjo reformë e re, cili do të jetë statusi i qyteteve tona, i bashkive tona, i kompetencave, i financave, i investimeve”, u shpreh Topçiu.

Ai nënvizoi se projektligji që ndodhet në Kuvend nuk është i vetmi ndryshim që duhet të bëhet. Sipas tij, reforma duhet të shoqërohet me ndryshime në legjislacionin për pushtetin vendor, financat vendore dhe kompetencat që do të kenë qytetet pas riorganizimit.

Topçiu solli në vëmendje edhe përmasat e Bashkisë Maliq. Sipas tij, referuar censusit të fundit, bashkia ka rreth 31 mijë banorë, ndërsa në gjendjen civile rezultojnë mbi 65 mijë persona. Për këtë arsye, ai e cilësoi Maliqin si një komunitet të gjerë dhe një territor me shtrirje të konsiderueshme, duke kërkuar që ndryshimi të analizohet në mënyrë të thelluar.

Kryebashkiaku bëri të ditur se po përgatit një material me qëndrimet dhe vlerësimet e tij për reformën, të cilin do t’ia përcjellë Kuvendit të Shqipërisë.

Ai kujtoi gjithashtu se në një diskutim të mëparshëm në komisionin parlamentar për reformën territoriale ishte shprehur kundër shkrirjes apo bashkimit të Bashkisë Maliq.

Megjithatë, Topçiu bëri një dallim mes termit “shkrirje” dhe formulimit të përdorur në projektligj, ku parashikohet “bashkimi” i Bashkisë Maliq me Bashkinë Korçë.

Sipas tij, projektligji parashikon që Maliqi të ruajë një nivel organizimi vendor si qytet, ndërsa njësitë administrative aktuale të mos varen drejtpërdrejt nga Korça, por të vijojnë të lidhen me Maliqin. Në këtë strukturë nuk do të ketë më kryetar bashkie, por një zëvendëskryetar funksional.

Topçiu kërkoi që debati për reformën të mos përqendrohet vetëm te posti i kryetarit të bashkisë apo te aspekti politik i ndryshimit.

“Për mua nuk duhet parë bashkia, pozicioni, ky organizim, si një moment që duhet të qajmë hallin e një kryetari bashkie”, tha ai, duke shtuar se vëmendja duhet të përqendrohet te qytetarët.

Sipas Topçiut, pyetja kryesore është nëse modeli i ri do t’i afrojë shërbimet me qytetarët, do të lehtësojë zgjidhjen e problematikave, do të sjellë më shumë investime dhe do t’i mundësojë Maliqit një ritëm më të mirë zhvillimi.

“Duhet të shikojmë sa shërbimet ndaj njerëzve venë më afër, sa u zgjidhen më lehtë, sa Maliqi do të ecë, jo me këtë ritëm që ka ecur tani, por do të ecë më mirë, sa investime do të marrim më shumë, sa do t’u shërbejë qytetarëve. Domethënë, koncepti është shumë i gjerë”, përfundoi kryebashkiaku i Maliqit.

Reforma e re territoriale pritet të vijojë të jetë pjesë e debatit politik dhe institucional, ndërsa qëndrimet e bashkive të prekura nga riorganizimi pritet të përcillen në Kuvend gjatë procesit të konsultimit dhe shqyrtimit të projektligjit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME