Një 21-vjeçar është arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pasi u kap duke lëvizur i armatosur në afërsi të parkut “Aqif Pasha” në qytetin e Elbasanit.
Policia njofton se operacioni i koduar “Indicia” është finalizuar në kuadër të punës operative për evidentimin dhe ndalimin e personave që mund të përbëjnë rrezik për përfshirje në ngjarje kriminale, veçanërisht në rastet e armëmbajtjes pa leje.
Sipas uniformave blu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kishin siguruar informacion se një person lëvizte në zonën pranë parkut “Aqif Pasha” duke mbajtur me vete një armë zjarri.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të policisë, u bë i mundur identifikimi dhe ndalimi i të dyshuarit, shtetasit me iniciale Jurgest Selmani., 21 vjeç, banues në Elbasan.
Gjatë kontrollit të ushtruar në çantën marsup që mbante me vete, policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me krehrin dhe municionin përkatës.
I riu u vu në pranga dhe ndaj tij nisën procedurat ligjore për veprën penale që lidhet me mbajtjen pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.
Sipas policisë, ndërhyrja është kryer në kohë, duke parandaluar mundësinë që arma e zjarrit të përdorej në ndonjë ngjarje kriminale.
Materialet procedurale në ngarkim të 21-vjeçarit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për vijimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.
Policia e Elbasanit thekson se kontrollet dhe puna operative do të vijojnë për evidentimin e personave që mbajnë armë zjarri në mënyrë të paligjshme, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe rritjen e sigurisë në komunitet.

