SARANDË ,13 gusht 2026 /Albania Express News/-Porti i Sarandës vijon të jetë një nga pikat kryesore të hyrjes së turistëve dhe vizitorëve në jug të Shqipërisë, duke përballuar një fluks të lartë udhëtarësh gjatë sezonit veror.
Vetëm gjatë muajit korrik, në Portin e Sarandës janë mirëpritur mbi 130 mijë pasagjerë, shifër që dëshmon intensitetin e lartë të lëvizjeve turistike dhe ecurinë e sezonit veror.
Përballë këtij fluksi, strukturat përgjegjëse vijojnë punën për garantimin e sigurisë, rendit, mbarëvajtjes së shërbimeve dhe mikpritjes ndaj vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë për pushimet verore.

Në terren për të ndjekur nga afër menaxhimin e flukseve dhe masat e marra për sezonin turistik kanë qenë ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Skënder Hita dhe kryetari i Bashkisë Sarandë Olti Çaçi.
Gjatë vizitës është vlerësuar puna e strukturave dhe ekipeve të angazhuara në terren, të cilat përballen çdo ditë me një volum të konsiderueshëm lëvizjesh dhe shërbimesh, veçanërisht gjatë muajve të pikut të sezonit.
Fokusi kryesor mbetet garantimi i një sezoni turistik të sigurt dhe sa më të mirëorganizuar, duke ofruar shërbime cilësore për turistët dhe qytetarët që mbërrijnë nëpërmjet kësaj porte hyrëse në jug të vendit.

Autoritetet kanë falënderuar të gjitha strukturat dhe ekipet në terren për bashkëpunimin, gatishmërinë dhe përkushtimin e tyre të përditshëm në menaxhimin e sezonit turistik.

