Nga Marin Mema
Sot, në zemrën e Krujës historike ,qytetit që mbart në çdo gur frymën e qëndresës dhe krenarisë kombëtare pata kënaqësinë dhe nderin të jem pjesë e “Festës së Plisit”, një ngjarje e veçantë që i kushtohet këtij simboli të lashtë, i cili ka qenë dhe mbetet shenjë dalluese e shqiptarisë ndër shekuj.
E bardhë si bora dhe e thjeshtë në pamje, por e thellë në kuptim, plisi nuk është thjesht një mbulesë koke. Ai është një gur themeli i trashëgimisë sonë kulturore dhe shpirtërore.
Në heshtjen e bardhësisë së tij, plisi flet më shumë se fjalët,për identitetin tonë të lashtë, për rrënjët tona, për qëndresën ndaj pushtimeve dhe për shpirtin tonë të pathyeshëm.
Në këtë ditë nderimi, u bashkuam jo vetëm për të festuar, por për të dhënë një mesazh të fuqishëm: koha ka ardhur që plisi, si simbol i gjallë i trashëgimisë sonë, të njihet dhe të mbrohet nga UNESCO.
Kjo nismë, që po gjen gjithnjë e më shumë mbështetje, është një hap i domosdoshëm për të siguruar që ky simbol i veçantë të ruhet dhe të njihet ndërkombëtarisht, ashtu siç i ka hije një pasurie të tillë shpirtërore.
Ndërsa qëndronim sot mes flamujve kuqezi, me plisat që ndriçonin si kurora mbi kokat e shumë pjesëmarrësve, ndjeva fuqinë e përkatësisë dhe krenarisë që ky simbol përcjell. Ishte një moment bashkimi, reflektimi dhe angazhimi për të ruajtur vlerat që na bëjnë atë që jemi.Le të jetë kjo festë jo vetëm një ditë përkujtimi, por një thirrje për veprim.
Të gjithë së bashku, ta çojmë përpara zërin për njohjen ndërkombëtare të plis-it, sepse ai është jo vetëm i yni, por pjesë e historisë dhe kulturës botërore.
Plisi është më shumë se një simbol, është amaneti i të parëve tanë, dhe përgjegjësia jonë ndaj brezave që vijnë.