Nga Ilir Krasniqi / Kosovatimes.info
KOSOVË ,10 gusht 2026/Albania Express News /-Nga çmimet e shezlongëve te mungesa e infrastrukturës, debati për turizmin shqiptar këtë verë është kthyer në një garë krahasimesh. Por sa të sakta janë këto krahasime dhe a po i bëjmë dëm vetes me një marketing që nuk mbështetet gjithmonë në fakte?
Në këto ditë të nxehta vere, bregdeti është tema kryesore e bisedave. Ku të shkojmë? Sa kushton një ditë në plazh? Sa paguhet një shezlong? Sa kushton një drekë, një hotel apo një javë pushime?
Pyetjet janë të natyrshme. Për një familje shqiptare, kostoja e pushimeve është një faktor shumë i rëndësishëm në zgjedhjen e destinacionit.
Por këtë verë, bregdeti shqiptar duket se po e humb disi “betejën” e informacionit.
Kritikat janë të ligjshme dhe ka vend për shumë prej tyre. Mirëmbajtja e disa plazheve, pastërtia dhe infrastruktura përcjellëse mbeten problem. Mungesa e tualeteve publike, dusheve, kabinave për zhveshje dhe shërbimeve të tjera bazë është një realitet që nuk mund të anashkalohet. Në shumë destinacione turistike jashtë Shqipërisë, këto shërbime janë të standardizuara dhe pjesë e paketës që i ofrohet pushuesit.
Në rrjetet sociale dhe në bisedat e përditshme, dominojnë historitë për çmimet e larta, krahasimet me Greqinë e Malin e Zi dhe denoncimet për shërbimet që nuk përputhen gjithmonë me atë që paguan pushuesi.
Dhe këtu duhet thënë hapur: ka probleme reale.
Ka plazhe që kërkojnë më shumë mirëmbajtje. Ka zona ku mungojnë tualetet publike, dushet dhe kabinat e zhveshjes. Ka probleme me pastërtinë, aksesin, parkimin dhe infrastrukturën përcjellëse.Këto nuk zgjidhen me propagandë.
Por as problemi nuk zgjidhet duke përsëritur çdo ditë se “Shqipëria është më e shtrenjta”, pa bërë krahasime të drejta.
240 euro në Mal të Zi, 40 euro në Dhërmi – ku qëndron e vërteta?
Mjafton të shohim disa shembuj.
Në Sveti Stefan dhe Miloçer, një nga zonat më ekskluzive të Malit të Zi, çmimi i një kompleti shezlongësh në zona premium mund të arrijë rreth 240 euro.
Në Dhërmi, në varësi të plazhit dhe shërbimit, çmimet mund të variojnë rreth 35–40 euro, ndërsa në beach clubs premium mund të shkojnë nga 40 deri në 80 euro, në varësi të rreshtit dhe paketës së shërbimit. Në Himarë, në zona si Llamani, një komplet mund të jetë rreth 25 euro, ndërsa në plazhet e qytetit çmimet në shumë raste lëvizin rreth 10–20 euro.
Edhe në Halkidiki, një prej destinacioneve më të famshme të Greqisë, panorama nuk është aspak uniforme.

Në Siviri dhe Skala Fourka, në disa plazhe shezlongët mund të jenë pa pagesë, por kërkohet konsumim në lokal.Në Kriopigi, një komplet mund të kushtojë rreth 20 euro, shpesh me pije të përfshira.Në Hanioti, rreth 30 euro, ndërsa në Pefkohori mund të shkojë rreth 40 euro.Në Polichrono, çmimet mund të variojnë nga rreth 20 euro në rreshtat e pasmë deri në 50–60 euro në rreshtin e parë.Në Kallithea, në disa beach clubs, çmimi mund të jetë rreth 20–30 euro për person.Pra, çfarë na tregojnë këto?
Problemi i Shqipërisë nuk është vetëm çmimi
Nëse duam të jemi seriozë me turizmin, debati duhet të shkojë përtej shezlongut.Sepse një pushues nuk paguan vetëm për një copë rërë dhe një çadër.Ai paguan për një eksperiencë.Dhe pikërisht këtu Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.Tualetet publike duhet të jenë standard. Dushet duhet të jenë standard. Kabinat e zhveshjes duhet të jenë standard. Pastërtia duhet të jetë standard.
Nuk mund të pretendojmë turizëm elitar nëse infrastruktura bazë mungon.Nuk mund të kërkojmë çmime europiane dhe të ofrojmë shërbime që mbeten shumë pas standardeve europiane.
Por po aq e gabuar është edhe e kundërta: të krahasojmë një plazh publik shqiptar me një beach club luksoz në një destinacion ekskluziv të Malit të Zi dhe të nxjerrim përfundimin se njëri vend është “vjedhje”, ndërsa tjetri është “super ofertë”.
Hapja e plazheve publike, një ndryshim i rëndësishëm
Një nga zhvillimet më pozitive është krijimi dhe zgjerimi i hapësirave publike në plazhe.Kjo u jep qytetarëve një alternativë.Dhe konkurrenca, në çdo treg, është e shëndetshme.Kur pushuesi ka mundësi të zgjedhë mes një plazhi publik dhe një beach club-i, operatori privat duhet të bindë klientin me shërbim, cilësi dhe çmim, jo vetëm me pozicionin buzë detit.
Kjo është rruga e duhur.
Shqipëria nuk ka nevojë të zhvlerësojë veten
Secili destinacion duhet të ndërtojë identitetin e vet.Shqipëria ka detin, natyrën, klimën, gastronominë dhe një potencial të jashtëzakonshëm turistik.Por ky potencial duhet shoqëruar me standarde.Më shumë pastërti, infrastrukturë, ransparencë, konkurrencë, shërbim dhe më pak propagandë. Sepse turizmi nuk fitohet në Facebook me krahasime të ekzagjeruara.Turizmi fitohet atëherë kur pushuesi largohet i kënaqur dhe vendos të kthehet përsëri. Kjo është beteja që duhet të fitojë bregdeti shqiptar.

