Portofino dhe turizmi ynë

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Portofino është një prej simboleve të “dolce vita-s” në Rivierën Italiane. Dikur ka qenë thjesht një fshat i vjetër peshkatarësh me afro 400 banorë. Rreth 100 mijë turistë e vizitojnë atë vetëm në verë, mes të cilëve artistë, aktorë, muzikantë dhe njerëz të famshëm nga e gjithë Bota, të cilët e kanë promovuar duke e bërë shumë të dëgjuar.

Fshati është sot i rrethuar nga ndërtesa shumëngjyrëshe me fasada elegante, restorante, kafe, butikë, galeri arti, dyqane suvenirësh dhe superjahte të vendosura rreth një gjiri fare të vogël në detin Ligur.
Nuk besoj se në total janë më shumë se 50 njësi biznesi.

Më është kthyer gati në “sindromë” dëshira për të parë te vendet e huaja që vizitoj, motive apo elementë të funksionimit që mund të huazohen për shfrytëzimin e zgjuar të potencialit të Shqipërisë në fushën e turizmit.

Jam koshient se krahasimet nuk janë proporcionale dhe kanë kontekste jo të ngjashme. Sidoqoftë, edhe dallimet preferoj t’i vërej si shembuj për të identifikuar pas “perdes së luksit”, konceptin dhe vizionin që një habitat tradicional e kthen në formulë fitimprurëse dhe suksesi për realitetet e vogla turistike.

Nuk jam duke thënë se vendi ynë duhet të orientohet me doemos vetëm drejt modeleve të turizmit elitar. Por padyshim duhet të orientohemi drejt investimeve që integrojnë zgjidhje të optimizuara të të bërit turizëm me standarde cilësore.

Nuk na duhet të shpikim, thjesht na duhet t’i marrim shumë seriozisht detyrat. Sidomos, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet ta shohin këtë përpjekje jo si punë rutinë për administrimin e sezonit të radhës apo organizime festash të përsëritura, por si mision për përmirësime të shpejta dhe me standarde.

Shërbimet cilësore publike si pastrimi, rrugët e mirëmbajtura, trotuarët dhe shëtitoret e sistemuara, ndriçimi i zgjedhur, gjelbërimi i kujdesur, transporti publik, fasadat e kuruara, janë punë primare. Estetika është premisa bazë e potencialit për zhvillim. Mendoj se ky duhet të jetë edhe prioritet i programit të Rilindjes Urbane 2.0, për të vijuar me rikualifikime kapilare në të gjithë Rivierën, ashtu si edhe në zona të tjera atraktive të vendit.

Punët e realizuara përgjatë vijës bregdetare, por edhe qyteteve turistike e fshatrave karakteristike, janë realitet i pamohueshëm. Një prej ndërhyrjeve elegante të fundit është Lungomare 4 në segmentin Radhimë-Orikum.
Paralelisht me përpjekjet për formalizimin e pronave, zbatimi i projekteve që ruajnë autenticitetit e kombinuar me modernitetin e kohës, do të nxisnin investime zinxhir të ‘brand’-eve të mirënjohura vendase e të huaja.

Është e vërtetë se dora e njeriut ka pasur ndikimin e vet dhe, në jo pak raste edhe shkatërrues. Por asgjë nuk është e pakthyeshme në trajta të funksionalizuara dhe vizualisht estetike, nëse ekziston pasioni dhe vizioni për të menduar përtej sezonit të radhës.

Portofino nuk është ndonjë mrekulli që duhet kopjuar. Është vetëm një nga dëshmitë nëpër Europë, se si një vend i vogël vendos në funksion të së njëjtës ide, historinë, arkitekturën, natyrën, shërbimet dhe investimet, të cilat e kthejnë më pas në një destinacion me famë.

Turizmi nuk duhet matur vetëm me flukset, por edhe me ndjesinë që njerëzit të duan të kthehen. Kjo zakonisht ndodh aty ku e bukura nuk lihet në mëshirë të rastësisë dhe ku çdo copëz e Shqipërisë turistike bëhet pjesë e një historie suksesi.

Kjo është ajo që unë kuptova nga ndalesa në Portofino. Mënyrën se si duhet ta vlerësojmë atë që kemi. Dhe Shqipëria jonë e bekuar nga natyra, ka shumëçka për të vlerësuar.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Zbardhen detaje nga vrasja në Korçë, identifikohet viktima, 20-vjeçari ishte pjesë e Forcave të Armatosura

KORÇË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Detaje të reja janë...

“City AM”: Tirana, mes trashëgimisë dhe modernitetit, drejt një epoke të re turistike

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Tirana po shndërrohet me...

Volodymyr Zelensky shtrëngon duart me Vuçiçin, e garanton që vendi i tij nuk do ta njohë Kosovën: Ne nuk ndryshojmë qëndrim!

SERBI ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky...

Kryeministri Rama nxjerr videon: Kamerat e trafikut së shpejti në funksion, 1,100 masa administrative në një javë

TIRANË ,08 gusht 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka...