BERAT ,07 gusht 2026 / Albania Express News/-Një aksident ka ndodhur sot përgjatë rrugës drejt Malit të Tomorrit, në fshatin Kapinovë.
Mjeti që drejtohej nga shtetasi Dritan Muço, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur “Sheshi i Danit”, në hyrje të fshatit Kapinovë.
Si pasojë e aksidentit janë plagosur shoferi dhe 6 pasagjerët: Matilda Muço, Luan Muço, Drilon Muço, Desard Muço (familjarë të shoferit) dhe shtetasit Marko dhe Xhesika Sojati.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt Spitalit Rajonal Berat, ku 5 prej tyre, pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, janë larguar, ndërkohë që drejtuesi i mjetit, i cili ka pësuar dëmtime në sy, dhe bashkëshortja e tij, Matilda Muço, e cila ka pësuar dëmtime të rënda, janë transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Në vendngjarje shkuan forcat e policisë, që kryen edhe veprimet hetimore. Sipas policisë, shkak për aksidentin mendohet të ketë qenë një defekt në mjet dhe, gjatë ngjitjes drejt Tomorrit, mjetit nuk i mbajtën frenat dhe rrëshqiti. Të njëjtat burime konfirmojnë se, pas testit të alkoolit, rezultoi se drejtuesi i mjetit nuk kishte konsumuar alkool.

