Ish-kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira kundër shkrirjes dhe bashkimit me Librazhdin: “Nuk ka asnjë logjikë, argumentet e draftit nuk qëndrojnë”

PRRENJAS ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Debati për reformën e re administrativo-territoriale vijon të shoqërohet me reagime nga përfaqësues të pushtetit vendor dhe ish-drejtues lokalë. Ish-kryetarja e Bashkisë Prrenjas, Miranda Rira, ka kundërshtuar draftin e propozuar nga Partia Socialiste për bashkimin e Bashkisë Prrenjas me Bashkinë Librazhd, duke e cilësuar vendimin të pambështetur në argumente bindëse.

Në një reagim publik, Rira shprehet se ka analizuar draftin prej 182 faqesh të reformës, duke e krahasuar edhe me arsyetimet për bashkitë e tjera që parashikohet të shkrihen, por sipas saj nuk ka gjetur një logjikë të qartë që justifikon përfshirjen e Prrenjasit në këtë proces.

Ajo thekson se nga 15 bashkitë që parashikohet të shkrihen, Prrenjasi renditet ndër bashkitë me numrin më të lartë të popullsisë, me rreth 19 mijë banorë, duke e vendosur atë në vendin e pestë pas Maliqit, Dimalit, Cërrikut dhe Divjakës.

Sipas Rirës, katër janë argumentet kryesore të paraqitura në draft për shkrirjen e Bashkisë Prrenjas, por ajo i kundërshton ato duke i cilësuar të pabazuara.

Krijimi i “Luginës së Sipërme të Shkumbinit”

Ish-kryebashkiakja e Prrenjasit kundërshton argumentin për krijimin e një strukture të re territoriale të lidhur me Luginën e Sipërme të Shkumbinit, duke e cilësuar këtë arsye të pakuptimtë.

Sipas saj, gjendja aktuale e lumit Shkumbin nuk mund të përdoret si argument për një ndryshim territorial, duke pretenduar se ndërhyrjet e mëparshme kanë dëmtuar rrjedhën natyrore të tij.

Kursimi administrativ dhe konsolidimi i stafit

Rira kundërshton edhe argumentin për uljen e kostove administrative dhe krijimin e një stafi teknik më të konsoliduar. Ajo shprehet se shkrirja e bashkive nuk garanton automatikisht përfitime për punonjësit dhe se administratat lokale mund të preken nga ky proces.

Korridori VIII dhe Dogana e Qafë Thanës

Një tjetër pikë e kundërshtuar nga ish-kryetarja lidhet me argumentin e përdorimit të potencialit ekonomik të Korridorit VIII dhe Doganës së Qafë Thanës.

Sipas saj, dogana aktualisht nuk është nën administrimin e Bashkisë Prrenjas, pasi me vendim të Këshillit Kombëtar të Territorit, në kuadër të Planit të Përgjithshëm Vendor, ajo i është atribuar Bashkisë Pogradec.

Rira argumenton se bashkimi me Librazhdin nuk do të sjellë ndryshim në këtë drejtim dhe nuk do të krijojë të ardhura shtesë për Prrenjasin.

Renta minerare

Ish-kryebashkiakja kundërshton edhe arsyetimin që lidhet me rritjen e peshës së rentës minerare pas bashkimit me Librazhdin.

Ajo e cilëson këtë argument të pambështetur dhe ngre pyetjen se pse, sipas kësaj logjike, nuk duhet të shkrihen edhe bashki të tjera me aktivitet minerar.

“Pse i duhet shkrirja me Librazhdin për rentën? Me këtë logjikë duhet të shkriheshin edhe Bulqiza apo bashki të tjera që kanë miniera. Asgjë nuk bën sens”, shprehet Rira në reagimin e saj.

Në fund, Miranda Rira u bën thirrje qytetarëve të lexojnë dokumentin e reformës, duke e vënë në pikëpyetje cilësinë e studimit mbi të cilin është bazuar drafti.

Reforma e re administrativo-territoriale pritet të vijojë të prodhojë debate politike dhe publike, veçanërisht në zonat ku parashikohet bashkimi ose ndryshimi i kufijve të njësive vendore.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Një tjetër lëvizje e qeverisë Trump, SHBA planifikon mbylljen e pesë misioneve diplomatike, mes tyre Kanadaja

SHBA ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Departamenti Amerikan i Shtetit...

Gjykata kushtetuese na katandisi te Besa

Nga Lutfi Dervishi TIRANË ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Nëse Gjykata...

Barcelona i hap “luftë” Realit, nis kontaktet e para për transferimin e fituesit të Topit të Artë

SPANJË ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Barcelona ka nisur lëvizjet...