SPANJË ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Barcelona ka nisur lëvizjet për një nga mesfushorët më të mirë në botë, Rodri.
Sipas raportimeve të gazetarit Mario Cortegana të The Athletic, klubi katalanas ka zhvilluar kontakte me kampin e lojtarit për të mësuar mundësinë e një transferimi të mundshëm.
Projekti i Barcelonës thuhet se i pëlqen shumë mesfushorit spanjoll, sidomos për shkak të përshtatjes me filozofinë e lojës së klubit. Stili i pasimeve, kontrolli i topit dhe roli i rëndësishëm që mesfusha ka në sistemin katalanas konsiderohen faktorë që mund ta bindin Rodrin për një lëvizje drejt “Camp Nou”.
Një tjetër element që mund të ndikojë në këtë ide është ambienti i njohur për të te Barcelona. Nëse transferimi do të realizohej, Rodri do të gjente në skuadër disa prej shokëve të tij nga kombëtarja spanjolle, me të cilët ka ndarë suksesin në skenën ndërkombëtare.
Megjithatë, Barcelona nuk është e vetme në garën për firmën e tij. Real Madridi e ka ndjekur Rodrin gjatë gjithë verës dhe vazhdon ta konsiderojë një objektiv madhor për përforcimin e mesfushës. Klubi madrilen e sheh spanjollin si një profil ideal për të udhëhequr repartin në vitet e ardhshme.
Rodri, i cili aktualisht është pjesë e Manchester Cityt, mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës angleze dhe një nga mesfushorët më të kompletuar në futbollin modern.
Për momentin nuk ka një marrëveshje konkrete, por interesimi i dy gjigantëve të La Ligës e bën situatën e Rodrit një nga historitë më të nxehta të merkatos.

