TIRANË ,06 gusht 2026/Albania Express News/-Agjencia për Media dhe Informim (MIA) bëri të ditur sot, se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 28 vatra zjarri, nga të cilat pesë mbeten aktive.
Sipas MIA-s, në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 631 forca operacionale zjarrfikëse, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit.
Në deklaratën e MIA-s, thuhet se në Mallakastër janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat e tjera aktive.
Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim.
Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
MIA informon se “për ditën e sotme parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër”.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin e operacioneve dhe monitorimin e situatës në të gjithë vendin.

