MALLAKASTËR ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Situata e krijuar nga flakët në fshatin Rriban të Mallakastrës ka sjellë reagime nga autoritetet vendore. Deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj, dhe kryetari i Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailaj, folën për përmasat e zjarrit, angazhimin e forcave në terren dhe masat e marra për mbrojtjen e banorëve.
Deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj theksoi se forcat zjarrfikëse, bashkë me ushtrinë dhe strukturat e emergjencës, po punojnë pa ndërprerje për të vënë flakët nën kontroll dhe për të shmangur rrezikun për zonat e banuara.
“Situata vazhdon të jetë e rëndë, ka qenë një ditë e gjatë sot. Nuk kanë qenë vetëm forcat e Bashkisë Mallakastër, por ndihmë kanë dhënë edhe forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit jo vetëm të qarkut, por edhe nga Berati dhe nga Cerriku. Është punuar gjatë gjithë ditës në terren, ka ardhur edhe avioni për përforcime. Ka vatra të reja që janë përhapur, por është arritur të shmanget rreziku për pjesën e banuar. Megjithatë, masivi pyjor vazhdon të mbetet i përfshirë nga zjarri.
Është e vështirë të ndërhyhet, por gjatë natës intensiteti i zjarrit bie, pasi pushon edhe era që nuk e favorizon. Forcat do të jenë gjatë gjithë natës në terren, si ditën e djeshme, për të monitoruar përhapjen e zjarrit dhe për të mbrojtur zonat e banuara. U bëhet thirrje qytetarëve të kenë kujdes dhe të jenë vigjilentë, si për pronën ashtu edhe për jetën.
Kjo nuk është e vetmja vatër zjarri në Shqipëri. Të gjitha forcat e Mallakastrës dhe emergjencës, ushtria dhe forcat ajrore kanë qenë në dispozicion. Deri tani është shmangur rreziku për banesat dhe shpresohet që nesër situata të mbahet nën kontroll, ” tha deputeti i Mallakastrës, Klevis Jahaj.

