Ministri Nufi gjatë nënshkrimit të aktit të themelimit të “Fincantieri Albania”
TIRANË ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Nufi: “Partneriteti, investim i rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare” Në Gjenova të Italisë, në Divizionin e Anijeve Detare të kompanisë “FINCANTIERI”, u hodh një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, me nënshkrimin e Aktit të Themelimit dhe Statutit të shoqërisë “Fincantieri Albania”.
Përmes një publikimi në rrjetin e tij social, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi nënvizon se, “ky partneritet përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë detare shqiptare, transferimin e teknologjisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e kapaciteteve prodhuese në vend.”
Ndër të tjera, ministri Nufi u shpreh se, “Shqipëria vijon të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me liderët ndërkombëtarë të industrisë, duke krijuar vlerë të shtuar për ekonominë dhe duke kontribuar në forcimin e sigurisë kombëtare.”
Shoqëria “Fincantieri Albania” do të angazhohet në menaxhimin e kantierit detar të Pashalimanit pas modernizimit të tij, si dhe do të mbikëqyrë ndërtimin e anijeve me gjatësi deri në 82 metra dhe me zhvendosje deri në 700 tonë, të destinuara si për tregun vendas, ashtu edhe për atë ndërkombëtar.


