Bashkia Librazhd merr në administrim Qendrën Multifunksionale “Kia Green Light”, vijon mbështetja për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet në nevojë

LIBRAZHD , 05 gusht 2026 / Albania Express News /-Bashkia Librazhd ka marrë zyrtarisht në administrim Qendrën Multifunksionale “Kia Green Light”, një strukturë e krijuar falë një modeli të suksesshëm bashkëpunimi mes institucioneve vendore dhe organizatave ndërkombëtare, e cila prej kohësh ka ofruar shërbime të rëndësishme sociale për komunitetin.

Kjo qendër është rezultat i partneritetit mes World Vision Albania, Kia dhe World Vision Korea, një nismë që ka pasur në fokus përmirësimin e cilësisë së jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre në Bashkinë Librazhd.

Përmes kësaj strukture janë ofruar shërbime të specializuara sociale, edukative dhe rehabilituese, si në ambientet e qendrës, ashtu edhe përmes shërbimeve në banesë, duke iu ardhur në ndihmë fëmijëve dhe familjeve që kanë pasur nevojë për mbështetje të vazhdueshme.

Me kalimin e administrimit tek Bashkia Librazhd, synohet që këto shërbime të vijojnë të jenë të qëndrueshme dhe të aksesueshme për qytetarët, duke forcuar më tej politikat sociale dhe përfshirjen e grupeve në nevojë.

Përfaqësues të Bashkisë Librazhd kanë vlerësuar kontributin e partnerëve që kanë bërë të mundur funksionimin e kësaj qendre, duke e cilësuar atë si një shembull të mirë të bashkëpunimit mes pushtetit vendor, organizatave të shoqërisë civile dhe sektorit privat.

“Mirënjohje për të gjithë partnerët që kontribuan në këtë nismë me ndikim të drejtpërdrejtë në mirëqenien e qytetarëve tanë. Së bashku, vijojmë të ndërtojmë shërbime më cilësore dhe më gjithëpërfshirëse për komunitetin”, u shpreh Bashkia Librazhd.

Qendra Multifunksionale “Kia Green Light” pritet të vijojë të jetë një pikë referimi për ofrimin e shërbimeve sociale dhe mbështetjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, duke garantuar më shumë mundësi integrimi dhe zhvillimi për ta dhe familjet e tyre.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME