Dy operacione në aksin Librazhd–Elbasan, Policia godet trafikimin e emigrantëve , 3 në pranga, kapen 24 emigrantë të paligjshëm

ELBASAN ,05 gusht 2026/Albania Express News/-Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses dy operacione të njëpasnjëshme kundër trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, duke arrestuar tre persona që transportonin gjithsej 24 emigrantë të huaj, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Operacionet u zhvilluan nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrolleve të kryera në aksin rrugor Librazhd–Elbasan, u finalizuan operacionet e koduara “Aksi” dhe “Aksi 01”.

Në kuadër të operacionit “Aksi”, u arrestua në flagrancë shtetasi F. M., 22 vjeç, banues në Elbasan, i cili u kap duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm.

Ndërsa gjatë operacionit “Aksi 01”, policia arrestoi në flagrancë shtetasit A. R., 23 vjeç dhe D. Ç., 24 vjeç, të dy banues në Përrenjas, të cilët transportonin 10 emigrantë të tjerë. Nga verifikimet rezultoi se shtetasi A. R. drejtonte automjetin pa qenë i pajisur me leje drejtimi.

Në të dy rastet, policia sekuestroi automjetet e përdorura për transportimin e emigrantëve, të cilat dyshohet se shërbenin për realizimin e aktivitetit kriminal.

Sipas hetimeve paraprake, të arrestuarit transportonin kundrejt pagesës emigrantë nga Vendet e Treta, të cilët synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për vijimin e veprimeve hetimore.

Policia e Shtetit thekson se kontrollet dhe goditjet ndaj trafikimit të emigrantëve të paligjshëm do të vijojnë në të gjithë territorin, në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe garantimit të sigurisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME