Pogradeci bëhet qendra e turizmit dhe gastronomisë shqiptare, promovon mikpritjen tradicionale si markë kombëtar

POGRADEC ,04 gusht 2026/Albania Express News/-Pogradeci mirëpriti një takim kombëtar kushtuar promovimit të turizmit dhe gastronomisë shqiptare, duke mbledhur së bashku përfaqësues të institucioneve, sipërmarrës, prodhues vendas dhe aktorë të sektorit të turizmit e mikpritjes. Aktiviteti u shndërrua në një platformë bashkëpunimi për të promovuar vlerat autentike të Shqipërisë dhe për të forcuar identitetin e saj turistik.

Në fokus të këtij takimi ishte prezantimi i nismës “Bukë, Kripë e Zemër, Ujë, Vaj Ulliri dhe Buzëqeshje”, një iniciativë që synon ta kthejë mikpritjen tradicionale shqiptare në një standard të përbashkët në të gjithë vendin. Ideja është që çdo vizitor, vendas apo i huaj, të mirëpritet me produktet më autentike shqiptare dhe me bujarinë që karakterizon traditën e mikpritjes së shqiptarëve.

Pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe panairi i shijeve tradicionale, ku të pranishmit patën mundësi të degustojnë një gamë të pasur produktesh vendase. Në stendat e ekspozuara u prezantuan gatime karakteristike të krahinave shqiptare, peshk i freskët, djathëra artizanalë, bukë e përgatitur me miell të bluar në gur, vaj ulliri ekstra i virgjër, verëra cilësore dhe produkte të tjera tipike, duke dëshmuar potencialin e madh që gastronomia shqiptare ka për zhvillimin e turizmit.

Gjatë ceremonisë u ndanë edhe mirënjohje për individë dhe subjekte që kanë dhënë kontribut të veçantë në zhvillimin e turizmit dhe promovimin e gastronomisë shqiptare. Atmosfera festive u pasurua me muzikë dhe valle tradicionale, duke e kthyer këtë aktivitet në një festë të kulturës, traditës dhe identitetit kombëtar.

Organizatorët theksuan se bashkëpunimi mes institucioneve, sipërmarrësve dhe prodhuesve vendas është thelbësor për ndërtimin e një turizmi të qëndrueshëm, ku gastronomia dhe mikpritja shqiptare të jenë ndër elementët kryesorë të ofertës turistike.

Takimi në Pogradec rikonfirmoi edhe një herë rolin e këtij qyteti si një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit kulturor dhe gastronomik në Shqipëri, duke dëshmuar se tradita, shijet autentike dhe mikpritja shqiptare mbeten asete të çmuara për promovimin e vendit në arenën ndërkombëtare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME