ELBASAN 03gusht 2026/Albania Express News/-AF Elbasani po hyn në fazën vendimtare të përgatitjeve për sezonin e ri të Abissnet Superiore, ndërsa stafi teknik vijon të testojë çdo alternativë për të ndërtuar skuadrën më konkurruese të mundshme. Barazimi 0-0 ndaj Bylisit në “Elbasan Arena” kishte pak rëndësi për rezultatin, pasi fokusi kryesor ishte vlerësimi i gjendjes së futbollistëve dhe krijimi i një tabloje më të qartë për grupin që do të përfaqësojë verdheblutë në kampionat.
Trajneri Ivan Gvozdenoviç u dha minuta pothuajse të gjithë lojtarëve që kishte në dispozicion, duke përfshirë edhe disa futbollistë të talentuar të akademisë, të lindur në vitet 2007 dhe 2008. Kjo ishte një mundësi e mirë për teknikun serb që të shihte nga afër potencialin e të rinjve, të cilët po trokasin në dyert e ekipit të parë.

Në përfundim të ndeshjes, Gvozdenoviç u shpreh i kënaqur me atë që pa në fushë, duke theksuar se skuadra ndodhet ende në një fazë normale të përgatitjeve dhe larg formës optimale.
“Ende nuk ishim në 100% tonë dhe në këtë ndeshje ishim fokusuar më shumë për t’u dhënë mundësi lojtarëve që nuk kanë shumë minuta në këmbët e tyre dhe futbollistëve të moshave 2007-2008. Në njëfarë mënyre, ky ishte testi ynë përballë Bylisit”, deklaroi trajneri i Elbasanit.
Sipas tij, në këtë periudhë rezultatet kalojnë në plan të dytë, ndërsa më e rëndësishme është rritja e nivelit fizik, krijimi i automatizmave dhe vlerësimi individual i secilit lojtar përpara nisjes së sezonit.

Merkato ende e hapur
Një tjetër çështje ku u ndal tekniku serb ishte merkatoja. Edhe pse Elbasani ka afruar disa lojtarë gjatë kësaj vere, Gvozdenoviç konfirmoi se puna nuk ka përfunduar dhe se klubi është pranë finalizimit të afrimeve të tjera.
“Jam i kënaqur me merkaton deri tani, por presim ende lojtarë të tjerë. Jemi drejt finalizimit dhe besoj se shumë shpejt do të kompletohemi përfundimisht”, u shpreh ai.

Në të njëjtën kohë, verdheblutë kanë planifikuar edhe testet e fundit përpara kampionatit. Më 6 gusht skuadra do të përballet me Pogradecin në një tjetër miqësore, ndërsa dy ditë më pas do të udhëtojë drejt Greqisë për një mini-fazë përgatitore, ku do të zhvillojë edhe dy ndeshje të tjera.
Sipas trajnerit, këto sfida do të jenë shumë të rëndësishme për të konsoliduar skemën e lojës dhe për të integruar sa më mirë afrimet e reja me grupin ekzistues.

Objektivat, fillimisht do t’i shpallë klubi
I pyetur për synimet e Elbasanit në sezonin e ri, Gvozdenoviç preferoi të mos zbulojë shumë, duke theksuar se objektivat zyrtare do të prezantohen fillimisht nga drejtuesit e klubit.
“Sa i përket objektivave për sezonin e ri, do të jetë klubi ai që do të flasë i pari dhe më pas do të jem unë ai që do të jap mendimin tim. Nuk mund të flas para klubit se cilat do të jenë objektivat për këtë sezon”, tha ai.

Megjithatë, puna intensive në stërvitje, afrimet në merkato dhe programi i ngjeshur i miqësoreve tregojnë qartë se Elbasani synon të jetë një nga skuadrat protagoniste edhe në sezonin e ri.
Pas një edicioni të suksesshëm, ku verdheblutë u shpallën nënkampionë dhe rikthyen klubin në arenën europiane, pritshmëritë janë rritur ndjeshëm. Drejtuesit po punojnë për t’i vënë në dispozicion trajnerit një skuadër sa më të kompletuar, ndërsa testet e mbetura do të jenë prova e fundit përpara startit të Superiores, ku Elbasani synon të konfirmojë nivelin e treguar sezonin e kaluar dhe të nisë kampionatin me ambicie të mëdha.


