UEFA nuk ka mbaruar punë me Infantinon, kërcënon presidentin e FIFA-s se do e padisë për planin e shitjes së Botërorin

BOTA ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s është thelluar ndjeshëm, pasi qeveria e futbollit europian po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ligjore ndaj FIFA-s dhe presidentit të saj, Gianni Infantino.

Sipas mediave britanike, UEFA i ka dërguar një letër zyrtare Infantinos, ku e paralajmëron se po vlerëson ngritjen e një padie, arbitrazhi ose ankese rregullatore lidhur me planin tashmë të braktisur për shitjen e një pjese të të drejtave tregtare të Kupës së Botës tek investitorë privatë.
Plani i Infantinos shkaktoi reagime të forta në botën e futbollit, pasi parashikonte shitjen e aksioneve të turneut më të madh të futbollit përmes një strukture të re financiare. Pas presionit të madh nga UEFA, konfederatat e tjera dhe sponsorët, FIFA u detyrua të tërhiqej nga projekti.

Në letrën e saj, UEFA kërkon që FIFA dhe Infantino të ruajnë të gjitha dokumentet dhe të dhënat elektronike që lidhen me projektin, duke paralajmëruar se shkatërrimi ose fshirja e provave mund të sjellë pasoja ligjore.
“UEFA po shqyrton në mënyrë aktive ndërmarrjen e veprimeve ligjore, arbitrazhit dhe ankesave rregullatore në lidhje me planin e propozuar nga FIFA”, thuhet në dokument.
Përveç FIFA-s dhe Infantinos, në procedurat e mundshme ligjore mund të përfshihen edhe investitorë dhe institucione financiare që ishin pjesë e projektit, mes tyre miliarderi Joshua Kushner, Greg Maffei, JP Morgan dhe OpenEconomics.
UEFA u ka kërkuar gjithashtu këtyre palëve të mos fshijnë apo shkatërrojnë asnjë material që lidhet me projektin e dështuar.
Marrëdhëniet mes presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, dhe Gianni Infantinos janë tensionuar prej kohësh, ndërsa kjo çështje ka thelluar edhe më shumë konfliktin mes dy institucioneve.
Sipas raportimeve, UEFA kishte paralajmëruar se federatat e saj mund të bojkotonin Kupën e Botës nëse projekti do të miratohej.
Megjithëse FIFA ka hequr dorë nga plani, UEFA nuk e ka përjashtuar mundësinë e ndjekjes së rrugës ligjore, ndërsa i ka dhënë Infantinos pesë ditë pune për të konfirmuar se do të ruajë të gjitha provat dhe dokumentet që lidhen me këtë çështje.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME