TIRANË ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në akset kryesore dhe zonat me qarkullim të lartë, duke evidentuar një numër të lartë shkeljesh të rregullave të qarkullimit rrugor vetëm gjatë javës së fundit. Bilanci i publikuar nga autoritetet tregon se janë konstatuar plot 12.505 shkelje, çka dëshmon se problematika e mosrespektimit të Kodit Rrugor mbetet shqetësuese.
Si rezultat i kontrolleve të vazhdueshme dhe monitorimit me mjete logjistike bashkëkohore, Policia Rrugore ka proceduar 24 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, ku drejtuesit e mjeteve janë arrestuar ose proceduar penalisht, në varësi të shkeljeve të kryera.
Një rast i veçantë është regjistruar gjatë kontrolleve, ku një drejtues automjeti tentoi të shmangte ndëshkimin duke i ofruar një punonjësi të Policisë një kartëmonedhë prej 2 mijë lekësh të rinj. Shoferi u procedua penalisht për tentativë korrupsioni, ndërsa fillimisht ishte ndaluar pasi drejtonte automjetin pa vendosur rripin e sigurimit.
Gjatë javës së fundit, efektivët e Policisë Rrugore kanë vendosur gjithashtu 74 masa administrative për mospozicionim të rregullt në karrexhatë, një shkelje që favorizon krijimin e trafikut dhe rrit rrezikun për aksidente.
Një tjetër shqetësim mbetet drejtimi i automjeteve nën efektin e alkoolit. Sipas të dhënave zyrtare, janë vendosur 12 masa administrative ndaj drejtuesve që janë kapur duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, një nga shkaqet kryesore të aksidenteve të rënda rrugore.
Po ashtu, gjatë kontrolleve janë larguar me mjet ngritës 31 automjete të ndaluara ose të parkuara në kundërshtim me rregullat e Kodit Rrugor.
Numri më i madh i masave administrative lidhet me shkeljet që hasen më shpesh në rrugë. Plot 1.562 masa janë vendosur për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të automjetit, mosvendosjen e rripit të sigurimit dhe mungesën e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve.
Policia Rrugore apelon ndaj të gjithë përdoruesve të rrugës që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo pa leje drejtimi dhe të tregojnë përgjegjshmëri maksimale, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.

