Shpërthen kamioni me eksploziv në Kolumbi, 14 të plagosur pranë një stacioni policie

KOLUMBI ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Një shpërthim i fuqishëm i një kamioni të mbushur me eksploziv pranë një stacioni policor në qytetin Cucuta, afër kufirit me Venezuelën, ka plagosur 14 persona, vetëm pak ditë para marrjes së mandatit të presidentit të zgjedhur të Kolumbisë, Abelardo de la Espriella.

Sipas autoriteteve kolumbiane, nga shpërthimi janë plagosur 11 efektivë policie dhe tre civilë. Dy prej policëve ndodhen në gjendje kritike dhe po luftojnë për jetën, bëri të ditur guvernatori i departamentit Norte de Santander, William Villamizar.
Qeveria në Bogota ka akuzuar Ushtrinë Nacionalçlirimtare (ELN), grupin më të madh gueril aktiv në vend, si përgjegjëse për sulmin. Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, i cilësoi autorët si “narkoterroristë” dhe njoftoi një shpërblim prej mbi 64 mijë dollarësh për informacione që çojnë në arrestimin e tyre.

Presidenti i zgjedhur, Abelardo de la Espriella, dënoi ashpër sulmin, duke e quajtur atë një “akt të tmerrshëm dhe të dhunshëm”. Ai deklaroi se terrorizmi nuk do ta frikësojë Kolumbinë dhe premtoi vazhdimin e luftës kundër grupeve të armatosura.
Edhe Kombet e Bashkuara reaguan duke dënuar sulmin, duke theksuar se ngjarja ka përhapur frikë dhe pasiguri te banorët e zonës.
Sulmi ndodh në një periudhë të tensionuar politike, pasi De la Espriella pritet të marrë detyrën më 7 gusht, duke pasuar Gustavo Petro, presidentin e parë të majtë në historinë e Kolumbisë. Presidenti i ri ka bërë të ditur se do t’i japë fund negociatave të paqes me grupet e armatosura, të cilat ishin nisur nga administrata Petro.
Bisedimet me ELN-në u ndërprenë në janar të vitit 2025, pasi grupi gueril nisi një ofensivë në verilindje të vendit, ku u vranë mbi 100 persona.
De la Espriella ka premtuar se do të forcojë luftën kundër guerilëve dhe organizatave të trafikut të drogës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe në bashkëpunim me Izraelin.
Për shkak të shqetësimeve për sigurinë, ceremonia e inaugurimit është zhvendosur nga Bogota në qytetin Cali, ku do të angazhohen rreth 11 mijë ushtarë dhe policë për të garantuar sigurinë në tokë, ajër dhe det.
Gjatë fushatës zgjedhore, Kolumbia u përball me një valë të re dhune politike, me sulme me bomba, dronë të pajisur me eksploziv dhe sulme ndaj forcave të sigurisë. Presidenti i zgjedhur ka deklaruar disa herë se ekzistojnë plane për atentat ndaj tij.
Ndërkohë, presidenti në largim Gustavo Petro ndodhet për vizitë në Kubë dhe deri më tani nuk ka reaguar publikisht për sulmin.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Sirena angleze për Kristjan Asllanin, mesfushori i Kombëtares shqiptare përfundon në radarët e klubit të Premier League

TIRANË ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Mesfushori shqiptar i Interit,...

Nisin punimet për asfaltimin e rrugëve në Prrenjas, investimi synon përmirësimin e infrastrukturës urbane

PRRENJAS ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Kanë nisur punimet për...

Aksident i frikshëm në Kosovë pranë kufirit me Shqipërinë, shtatë persona ngelin të plagosur

KOSOVË ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Shtatë persona kanë mbetur...