BULQIZË ,02 gusht 2026/Albania Express News/-Operacioni i kërkim-shpëtimit për gjetjen e minatorit 40-vjeçar, Ilir Koloveri, vijon pa ndërprerje në një nga galeritë e minierës në zonën e Tërnovës së Madhe, Njësia Administrative Zerqan, Bashkia Bulqizë, ku dyshohet se ai ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë gjatë procesit të punës.
Ekipet e shpëtimit, specialistët e minierës dhe strukturat përgjegjëse kanë punuar gjatë gjithë natës dhe vazhdojnë edhe këtë mëngjes operacionin në kushte tepër të vështira, me qëllim lokalizimin dhe nxjerrjen e trupit të minatorit.
Sipas informacioneve paraprake, 40-vjeçari ka mbetur i bllokuar brenda galerisë pas një shembjeje masive të materialit minerar. Sasia e madhe e materialit të rrëzuar, terreni i rrezikshëm nëntokësor dhe mundësia e shembjeve të tjera kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, të cilat po avancojnë me shumë kujdes për të garantuar sigurinë e efektivëve të angazhuar në operacion.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim përfundimtar mbi fatin e minatorit, ndërsa kërkimet vijojnë pa ndërprerje deri në arritjen e tij. Çdo zhvillim i ri pritet të bëhet publik përmes komunikimeve zyrtare.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje një nga episodet më tragjike të ndodhura në minierat e Bulqizës. Në vitin 2021, minatori Muharrem Plaku mbeti i bllokuar për pesë ditë në një galeri të Zonës së Parë, pasi u aksidentua si pasojë e shembjes së një sasie të madhe materiali gjatë punës. Pas një operacioni të gjatë dhe tepër të vështirë, ekipet e kërkim-shpëtimit arritën të nxirrnin trupin e tij të pajetë vetëm pas pesë ditësh, për shkak të vështirësive të krijuara nga bllokimi i galerisë.
Aksidenti i fundit ka rikthyer edhe një herë debatin mbi kushtet e punës në sektorin minerar dhe nivelin e sigurisë në galeritë e shfrytëzimit të kromit në Bulqizë. Sindikatat dhe ekspertët kanë kërkuar vazhdimisht rritjen e kontrolleve teknike, zbatimin rigoroz të standardeve të sigurisë dhe investime më të mëdha për mbrojtjen e jetës së minatorëve.
Ndërkohë, familjarët e 40-vjeçarit dhe banorët e zonës presin me ankth përfundimin e operacionit të kërkim-shpëtimit, me shpresën që ekipet të arrijnë sa më shpejt tek minatori i bllokuar.

