TIRANË ,31 korrik 2026/Albania Express News/- Partia Demokratike prezantoi sot draftin e saj për reformën administrativo-territoriale, që parashikon rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone.
Sipas PD-së, shtimi i bashkive do të sjellë më shumë shërbime cilësore për qytetarët dhe menaxhim më të mirë të territorit.
Sipas projektit të propozuar nga PD, në disa qarqe numri i bashkive do të dyfishohen, ndërsa do të rikthehen një sërë njësish administrative si bashki të veçanta.
PD nënvizon se propozimi i Partisë Demokratike është rezultat i konsultimeve me qytetarët dhe ekspertët, ndërsa akuzoi mazhorancën se e ndërpreu procesin e punës së komisionit të posaçëm për reformën territoriale dhe paraqiti një projekt të njëanshëm.
Në Rajonin e parë bën pjesë Shkodra dhe Lezha; Rajoni i dytë përfshin Dibrën dhe Kukësin; Rajoni i tretë përfshin Tiranën dhe Durrësin; Në Rajonin e katërt bëjnë pjesë Elbasani dhe Korça; Në Rajonin e pestë bëjnë pjesë Fieri dhe Berati; Në Rajonin e gjashtë bëjnë pjesë Vlora dhe Gjirokastra.

Qarku Shkodër, nga pesë bashki propozohet që të shkojnë në tetë bashki. Bashkitë janë Shkodër, Malësia e Madhe, Vau i Dejës, Pukë, Fushë-Arrëz, Velipojë, Drivast, Koplik.
Qarku Lezhë, nga tri bashki kalon në tetë bashki. Bashkitë janë Lezhë, Bregu i Matës, Zadrima, Mirditë, Orosh, Rubik, Kurbin, Mamurras.
Qarku Kukës, nga tri kalon në pesë bashki: Kukës, Tropojë, Has, Shishtavec, Bicaj.
Qarku Dibër, nga katër kalon në tetë bashki: Dibër, Mat, Bulqizë, Klos, Maqellarë, Shupenzë, Kastriot dhe Lurë.
Qarku Durrës, në pesë bashki: Durrës, Sukth, Shijak, Krujë, Fushë-Krujë.
Qarku Tiranë, nga pesë bashki, në dhjetë bashki: Tiranë, Kamëz, Vorë, Kavajë, Rrogozhinë, Petrelë, Kashar, Dajt, Arbanë dhe Ndroq.
Qarku Elbasan, nga shtatë kalon në nëntë bashki: Elbasan, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Librazhd, Përrenjas, Bradashesh, Shpat.
Qarku Korçë kalon nga gjashtë në 10 bashki: Korçë, Maliq, Pogradec, Devoll, Pustec, Ersekë, Voskopojë, Pojan, Leskovik, Mokër.
Qarku Fier nga gjashtë në 12 bashki: Fier, Patos, Roskovec, Lushnjë, Divjakë, Ardenicë, Krutje, Dushk, Mallakastër, Fratar, Levan dhe Cakran.

Qarku Berat nga pesë bashki shkon në shtatë: Dimal, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Otllak, Shpirag.
Qarku Vlorë nga shtatë shkon në 11 bashki: Vlorë, Selenicë, Himarë, Orikum, Amantia, Sarandë, Delvinë, Finiq, Konispol, Ksamil, Novoselë.
Qarku Gjirokastër mbetet me shtatë, ashtu siç është aktualisht: Gjirokastër, Libohovë, Dropull, Memaliaj, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet.
PD thekson se propozimi i opozitës synon forcimin e pushtetit vendor përmes decentralizimit të kompetencave, rritjes së autonomisë financiare dhe afrimit të shërbimeve me qytetarët.
Gjithashtu PD propozon dyfishimin e transfertës së pakushtëzuar për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga 1% në 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe krijimin e një fondi solidariteti për të mbështetur bashkitë me të ardhura më të ulëta.
Sipas PD, projekti parashikon edhe heqjen e kontrollit të Kryeministrisë mbi aktivitetin dhe transfertat financiare të bashkive, duke ia lënë mbikëqyrjen vetëm Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe këshillave bashkiakë.

