ELBASAN ,30 korrik 2026/Albania Express News/-Trajneri i Dinamo City , Ilir Daja, ka dalë në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së kthimit ndaj skuadrës sllovene Aluminij, e vlefshme për turin e dytë kualifikues të Conference League. Tekniku kryeqytetas vlerësoi barazimin e marrë në takimin e parë, por theksoi se gjithçka mbetet e hapur dhe se kualifikimi do të vendoset në 90 minutat e përballjes në stadiumin “Elbasan Arena”.
Daja u shpreh se avantazhi i vetëm për skuadrën e tij është fakti që ndeshja luhet në një ambient të njohur, ku Dinamo City ka zhvilluar shumë takime dhe ku ai vetë ka kujtime pozitive nga periudha kur ka drejtuar Elbasanin.
“Sigurisht që barazimi në ndeshjen e parë është pozitiv, por mendoj se do të jetë e hapur edhe për 90 minutat e kthimit këtu në Elbasan. Avantazhi i vetëm është se luajmë në një ambient që e njohim mjaft mirë, sepse kemi luajtur shpesh. Personalisht kam dhe pjesën e fatit dhe të fitoreve që nga koha kur kam qenë trajner i Elbasanit”, deklaroi Daja.
Trajneri i Dinamo City theksoi se objektivi është që kualifikimi të sigurohet brenda kohës së rregullt, edhe pse skuadra është e përgatitur për çdo skenar që mund të sjellë ndeshja.
“Ne mendojmë se kualifikimi do të zgjidhet brenda 90 minutave. Duke ditur barazimin e ndeshjes së parë mundet që të përgatitemi gjatë lojës për shtesat, por besojmë se do ta zgjidhim brenda 90 minutave”, u shpreh ai.
Daja vuri në dukje se përballja do të përcaktohet nga episodet dhe gabimet minimale, duke kërkuar përqendrim maksimal nga lojtarët e tij.
“Mendoj se ndeshja do të zgjidhet nga episodet, kështu që duhet të kemi shumë kujdes dhe të bëjmë sa më pak gabime. Edhe goli që morëm në Slloveni ishte nga një gabim yni”, tha trajneri.
Në fund, tekniku foli edhe për filozofinë e lojës së Dinamo City , duke pranuar se ndërtimi i aksioneve nga prapa mbart edhe rrezik, por kërkoi ekuilibër dhe përgjegjësi nga skuadra.
“Jemi të përgjegjshëm që kur ndërton nga poshtë ka dhe risk. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe në ekuilibër që të kemi sa më pak situata në portën tonë”, përfundoi Ilir Daja.
Dinamo City kërkon sonte të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozëve në Elbasan Arena për të kaluar turin e dytë të Conference League dhe për të vijuar aventurën europiane.

