TIRANË ,27 korrik 2026/Albania Express News/-Protestuesit e mbledhur këtë të hënë pranë Kuvendit kanë sjellë me vete domate, speca dhe vezë, të cilat pritet t’i përdorin si formë simbolike proteste ndaj deputetëve dhe ministrave të mazhorancës.
Sipas pjesëmarrësve në tubim, këto produkte janë përgatitur për t’u hedhur në drejtim të përfaqësuesve të qeverisë gjatë hyrjes së tyre në godinën e Kuvendit, si shenjë pakënaqësie ndaj politikave dhe vendimmarrjeve të mazhorancës.
Ky veprim vjen pas incidentit të regjistruar në seancën e kaluar parlamentare, kur gjatë protestës u hodhën vezë në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe ministrave, duke rritur tensionet jashtë ambienteve të Parlamentit.
Në zonë janë vendosur forca të shumta policie për të garantuar rendin dhe sigurinë, ndërsa situata po ndiqet nga afër për të shmangur përshkallëzimin e incidenteve gjatë zhvillimit të protestës.


