ELBASAN ,24 korrik 2024/Albania Express News/-Reshjet intensive të shiut dhe breshërit, të shoqëruara me erëra të forta, që përfshinë qytetin e Elbasanit gjatë orëve të mesditës, shkaktuan probleme të përkohshme në disa zona urbane, duke sjellë përmbytje të bodrumeve dhe rrëzimin e disa pemëve dekorative.
Menjëherë pas përkeqësimit të motit, strukturat e Emergjencave Civile, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si edhe shërbimet e Bashkisë Elbasan dolën në terren për të monitoruar situatën dhe për të ndërhyrë në zonat ku u konstatuan problematika.

Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ndoqi nga afër zhvillimet në terren, duke koordinuar personalisht punën e ekipeve për ndërhyrje të shpejtë dhe rikthimin e normalitetit në zonat e prekura.
Sipas të dhënave të raportuara nga Emergjencat Civile, brenda një intervali prej rreth 38 minutash në qytet ranë afro 40 milimetra reshje shiu, të shoqëruara edhe me breshër, çka solli ngarkesë të menjëhershme në rrjetin e kanalizimeve dhe krijoi vështirësi të përkohshme në disa lagje.

Ekipet zjarrfikëse dhe shërbimet bashkiake ndërhynë për largimin e ujërave nga bodrumet e përmbytura, prerjen dhe largimin e pemëve të rrëzuara, si dhe pastrimin e akseve ku kishte pengesa për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Sipas Bashkisë Elbasan, aktualisht situata është vënë nën kontroll dhe nuk raportohen probleme të rënda, ndërsa strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në të gjitha zonat e prekura për të garantuar ndërhyrje të menjëhershme nëse do të jetë e nevojshme.
Autoritetet vendore u bëjnë apel qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rast të përkeqësimit të mëtejshëm të kushteve atmosferike, të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të njoftojnë menjëherë strukturat përgjegjëse për çdo situatë problematike.

Bashkia Elbasan thekson se ekipet e Emergjencave Civile, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi, si dhe shërbimet bashkiake do të mbeten në gatishmëri të plotë deri në normalizimin e plotë të situatës në të gjithë territorin e qytetit.

