PRRENJAS ,24 korrik 2026/Albania Express Newss /-Një nismë qytetare me synimin për të mbrojtur të ardhmen e Bashkisë Prrenjas do të marrë jetë këtë të shtunë, në orën 18:00, në ambientet e Qendrës Kulturore të Prrenjasit, ku do të krijohet zyrtarisht “Aleanca për Mbrojtjen e Prrenjasit”.
Përmes një thirrjeje publike, organizatorët ftojnë të gjithë qytetarët, pa dallim bindjeje politike apo përkatësie fetare, të bëhen pjesë e kësaj nisme, e cila synon të bashkojë intelektualët, mësuesit, historianët, artistët, sportistët, juristët, ekonomistët, inxhinierët, sipërmarrësit, fermerët, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe çdo qytetar që dëshiron të japë kontributin e tij për Prrenjasin.
Sipas organizatorëve, takimi do të shërbejë për hartimin e një drafti të detajuar, të mbështetur në fakte dhe argumente, që synon të argumentojë nevojën që Bashkia Prrenjas të vazhdojë të ekzistojë dhe të zhvillohet si një njësi e veçantë e qeverisjes vendore.
Në dokument pritet të evidentohen të gjitha potencialet dhe pasuritë e zonës, duke përfshirë arsimin, sportin, kulturën, artin, historinë, turizmin, traditat dhe folklorin, bujqësinë dhe blegtorinë, figurat e letrave dhe trashëgiminë kulturore, pasuritë minerare, si edhe vlera të rëndësishme natyrore si Parku Kombëtar Shebenik–Rrajcë, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe Parku i Sopotit në Stravaj, së bashku me çdo potencial tjetër zhvillimor të Prrenjasit.
Organizatorët bëjnë të ditur se, pas përfundimit, drafti do t’u dërgohet institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, si edhe përfaqësive diplomatike, me synimin që argumentet dhe kërkesa e komunitetit të dëgjohen në proceset vendimmarrëse.
Në mesazhin e tyre theksohet se, kur bëhet fjalë për Prrenjasin, qytetarët duhet të lënë mënjanë ndasitë politike dhe të bashkohen rreth një qëllimi të përbashkët: mbrojtjen e identitetit, historisë, pasurive dhe së ardhmes së bashkisë.
Nisma vjen në një kohë kur debati për reformën administrativo-territoriale dhe rikonfigurimin e hartës së bashkive vijon të jetë në qendër të diskutimeve publike në vend.

