TIRANË, 23 korrik 2026 /Albania Express News/ -Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kundërshtoi mënyrën e paraqitjes së raportit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Kuvend, duke pretenduar se dokumenti i mazhorancës nuk është shqyrtuar më parë në komision dhe se paraqitja e tij është në kundërshtim me procedurat.
Në një prononcim për mediet jashtë Kuvendit, Berisha deklaroi se raporti i paraqitur nga përfaqësuesit socialistë është një akt i njëanshëm dhe se procesi i punës së komisionit ishte ndërprerë nga mazhoranca.
“Sot në parlament, në një akt tërësisht të njëanshëm, kjo pseudomazhorancë do të lexojë raportin e komisionit të reformës territoriale të paparaqitur në komision. Ky raport që kanë sjellë socialistët është një raport që nuk është paraqitur në komision”, tha Berisha.
Sipas tij, procesi kishte vijuar mbi bazën e një axhende të dakordësuar për konsultime me qytetarët, por ndryshoi pasi, sipas tij, pati kundërshtime nga komunitetet në zona të ndryshme të vendit.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike ka përgatitur një raport prej më shumë se 400 faqesh, por nuk e ka bërë publik ende, pasi sipas tij pritej përfshirja e ekspertëve ndërkombëtarë, veçanërisht të përfaqësuesve të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale.
“Ne kemi raportin tonë 400 e sa faqe, por kemi qenë seriozë në mënyrën tonë dhe nuk kemi bërë publike propozimet sepse donim që të ishte i pranishëm përfaqësuesi i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale, të cilët do të ishin ndërmjetës në variantet që do të paraqiteshin”, u shpreh ai.
Kreu i PD-së theksoi se reforma territoriale është një nga kushtet për avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
“Jo vetëm në dokumentet e fundit të BE-së, por edhe në raportin e Komisionit Evropian të tetorit që kaloi, dy janë kushtet: reforma territoriale dhe reforma zgjedhore”, tha Berisha.
Lidhur me propozimin e opozitës për ndarjen administrative të vendit, Berisha deklaroi se projekti i PD-së parashikon rritjen e numrit të bashkive dhe rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike.
“Ne kemi projektin tonë, i cili ka një numër bashkish që varion nga 90 në 110 bashki, por shton komunat. Ne nuk themi të shkojmë te modeli i mëparshëm, sepse ka ndryshime demografike, por kërkojmë rikthimin e komunave mbi bazën e kritereve demografike të mundshme”, tha ai.
Berisha deklaroi se puna e komisionit nuk mund të konsiderohet e përfunduar vetëm për shkak të mbarimit të afatit, duke bërë dallimin mes përfundimit të mandatit dhe përfundimit të procesit.
“Janë dy gjëra krejt të kundërta, puna dhe afati. Afatet e komisioneve bipartizane janë shtyrë, nuk ka komision bipartizan që të ketë përfunduar punën në afatin e përcaktuar”, tha ai.
I pyetur nëse zhvillimet në reformën territoriale mund të ndikojnë edhe te reforma zgjedhore, Berisha deklaroi se sipas tij kryeministri Edi Rama ka të njëjtin skenar për të dy proceset.
“Edi Rama nuk pranon asgjë përveç asaj që mendon vetë. Por ne, me përgjegjësi të plotë para qytetarëve shqiptarë, të cilët na kanë kërkuar masivisht që të marrim pjesë në këtë reformë, do të vijojmë qëndrimin tonë”, u shpreh Berisha.

