DURRËS ,16 korrik 2026/Albania Express News/-Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit, i koduar “Filiali”, ka çuar në arrestimin e tre punonjëseve të filialit të Postës Shqiptare në Durrës, të dyshuara për përvetësimin e 69 milionë lekëve të rinj, fonde të destinuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale.
Operacioni u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Në pranga ranë:
- E. M., 41 vjeçe, drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;
- V. D., 59 vjeçe, shefe e financës në këtë filial;
- P. D., 39 vjeçe, arkëtare/llogaritare.
Sipas hetimeve paraprake, gjatë muajve prill dhe maj 2026, tre zyrtaret dyshohet se nuk kanë arkëtuar në arkën e degëve Shijak dhe Krujë shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte planifikuar për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave, por e kanë përvetësuar atë.
Ndalimi i tyre është kryer në kuadër të një procedimi penal të regjistruar nga Prokuroria për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Policia bën me dije se hetimet janë ende në vijim për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë të dyshuar abuzimi me fondet publike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme hetimore.

