PRESHEVË , 8 korrik 2026/Albania Express News/-Vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, në Preshevë është vlerësuar si një moment me rëndësi të veçantë politike, institucionale dhe kombëtare nga kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani. Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Sinani e cilësoi takimin me kreun e shtetit shqiptar si një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit mes Komunës së Preshevës dhe Republikës së Shqipërisë, duke theksuar se vizita përçon një mesazh të qartë mbështetjeje për shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Sipas Sinanit, vizita e Presidentit Begaj ishte paralajmëruar që në takimin e zhvilluar më 12 mars të këtij viti në Tiranë, në Presidencën e Republikës së Shqipërisë, ndërsa tashmë është materializuar si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm institucional të Shqipërisë ndaj çështjeve që prekin shqiptarët e Luginës.

Gjatë takimit, kryetarja e Komunës së Preshevës shprehu mirënjohjen ndaj Presidentit Begaj për rolin e tij në ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës. Ajo rikujtoi se në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 25 shtator të vitit të kaluar, Presidenti shqiptar kërkoi publikisht respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të shqiptarëve të kësaj treve, duke theksuar se ata nuk duhet të diskriminohen, por të trajtohen me dinjitet dhe të gëzojnë të drejta të barabarta.

Në postimin e saj, Sinani thekson se vizita nuk duhet parë vetëm në kuadrin e një takimi zyrtar, por si një sinjal i fortë politik dhe kombëtar se Presheva dhe e gjithë Lugina e Preshevës mbeten pjesë e pandashme e botës shqiptare dhe vijojnë të jenë në vëmendjen e institucioneve të Republikës së Shqipërisë.
Një pjesë e rëndësishme e bisedimeve iu kushtua problematikave që vazhdojnë të prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës. Sipas kryetares së komunës, një nga çështjet kryesore ishte fenomeni i pasivizimit selektiv të adresave, i cili prej vitesh konsiderohet nga përfaqësuesit shqiptarë si një nga problemet më shqetësuese që ndikon drejtpërdrejt në të drejtat civile dhe politike të banorëve shqiptarë.

Po ashtu, në fokus të diskutimit ishte edhe mungesa e investimeve shtetërore, sidomos në sektorin e arsimit dhe infrastrukturës shkollore. Sinani ngriti si shembull gjendjen e Shkolla Fillore ‘Prof. Ibrahim Kelmendi’, e cila konsiderohet jo vetëm shkolla më e madhe në Serbi, por edhe simbol i arsimit në gjuhën shqipe në Luginën e Preshevës.
Ajo i kërkoi Presidentit Begaj që të vazhdojë të përdorë autoritetin e tij institucional për të sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë dhe autoritetet në Beograd, me qëllim që kjo shkollë të marrë mbështetjen dhe investimet e nevojshme, duke qenë se aty arsimohen brezat e rinj të shqiptarëve të kësaj treve.

Një tjetër temë me ndjeshmëri të lartë ishte shqetësimi i të rinjve shqiptarë lidhur me riaktivizimin e diskutimeve për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi. Sipas Sinanit, kjo çështje ka krijuar pasiguri dhe shqetësim te qytetarët, veçanërisht për shkak të kujtimeve të dhimbshme që lidhen me fatin e shumë të rinjve shqiptarë gjatë viteve ’90.
Në fund të takimit, kryetarja e Komunës së Preshevës falënderoi Presidentin Begaj për vizitën dhe për pjesëmarrjen e tij në edicionin e dytë të Panairit të Librit në Preshevë.
Ajo bëri të ditur se palët janë dakordësuar që komunikimi dhe bashkëpunimi për çështjet me interes për shqiptarët e Luginës të vijojë në mënyrë të përhershme.
Sipas Ardita Sinanit, vizita e Presidentit të Republikës së Shqipërisë shënon fillimin e një etape të re të bashkëpunimit institucional dhe përbën një dëshmi konkrete se Presheva dhe Lugina e Preshevës mbeten pjesë e pandashme e kujdesit, përgjegjësisë dhe vëmendjes së përbashkët kombëtare.


